Vendosja e 21 kamerave të sigurisë në hyrje-daljet e lagjeve Kiras dhe Dobraç i ka çuar hetuesit drejt dyshimit se ato i kishin në përdorim dy grupe kriminale që veprojnë në Shkodër. Megjithatë deri më tani, asnjë emër personi i dyshuar nuk është identifikuar nga hetuesit.
Disa prej kamerave, sipas verifikimeve, rezulton funksionin prej dy vitesh dhe i jepnin akses këtyre personave në kontrollin e territorit për qëllime kriminale, por edhe vëzhgimin e lëvizjeve të Policisë.
Sakaq Policia po kontrollon edhe për kamera të tjera pasi beson se nuk janë të vetmet. Dyshohet se janë vendosur edhe në lagjet që kontrollohen nga dy grupet kriminale.
Nga 21 kamerat e sekuestruara deri më tani, 8 ishin të instaluara në vende dhe sheshe publike, në aksin rrugor nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë e VIGUT” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës. Ndërsa 13 të tjera të instaluara në aksin rrugor nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit.
Vendosja e kamerave për të monitoruar hapësirat publike rregullohet me ligj të posaçëm dhe sipas këtij ligji, Policia është organi kompetent që jep lejet dhe certifikatat e sigurisë për subjektet private dhe publike.
Teksa Ministria e Brendshme dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale krijojnë një regjistër me të gjitha kamerat e lejuara në territor./Tv Klan