Politika Teatri Kombëtar, Berisha: Jemi vendi i vetëm në botë ku një vendim...

Teatri Kombëtar, Berisha: Jemi vendi i vetëm në botë ku një vendim i Kushtetueses rrëzohet me një vendim të qeverisë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur mesditën e sotme. Në nisje të kësaj mbledhje, kryedemokrati Sali Berisha është ndalur dhe tek nisja e punimeve për Teatrin e ri Kombëtar, ceremonia për të cilin u zhvillua sot në Tiranë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se akti për Teatrin Kombëtar është dhunim flagrant i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nga ky akt kalohet në një akt madhor, dhunimin flagrant të vendimit të Kushtetueses. Kjo është një sfidë e hapur, jo vetëm për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, por për opozitën në radhë të parë. Opozitës i thuhet se nuk njohim norma, nuk njohim standarde, por jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo akt, në kundërshtim të hapur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ndalon procedimin e mëtejshëm në atë truall, ia kthen atë qeverisë. Ky është vendi i vetëm ku vendimet e Kushtetueses rrëzohen me vendime të banditëve qeveritarë. Ky është vendi i vetëm në botë ku një vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzohet me një vendim të qeverisë”, tha Berisha.

Kryedemokrati Berisha ka paralajmëruar Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliajn duke i thënë se “me këtë akt ai po nxit me të gjithë forcën, përplasjen me qytetarët”.

“Ndaj dhe unë, paralajmëroj Erion Veliajn se me këtë akt ai po nxit me të gjithë forcën, përplasjen me qytetarët. Ai është një kukull e Edi Ramës, por do përgjigjet për këtë akt. Paralajmëroj ndërtuesin që të mos bëhet mashë. Hiq dorë nga ai projekt. Populli opozitar nuk do e pranojë kurrë atë projekt. Populli opozitar do bëjë gjithçka për zbatimin e drejtë të vendimit të Kushtetueses“, tha Berisha.