Bota Telashi i parë për Trump/ Matt Gaetz tërhiqet nga posti i Prokurorit...

Telashi i parë për Trump/ Matt Gaetz tërhiqet nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm pas skandalit seksual

Matt Gaetz

Ish-ligjvënësi Matt Gaetz tërhoqi të enjten emrin e tij nga emërimi si prokuror i përgjithshëm nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, duke thënë se procesi i konfirmimit të tij është shndërruar në një shpërqendrim.

Me një mesazh në rrjetin X, Gaetz njoftoi se pati takime të shkëlqyera një ditë më parë me senatorët dhe shprehu vlerësimin për mendimet e tyre dhe mbështetjen.

Gaetz shton se është bërë megjithatë e qartë se konfirmimi ishte shndërruar në mënyrë të padrejtë në një shpërqendrim për punën jetike të ekipit të tranzicionit për administratën e ardhshme Trump-Vance.

Gaetz mendon se nuk duhet humbur më shumë kohë dhe për këtë arsye po tërheq emrin e tij nga shqyrtimi për postin e prokurorit të përgjithshëm, që në Shtetet e Bashkuara ka funksionet e ministrit të drejtësisë.

“Nuk ka kohë për të humbur në një grindje të panevojshme në Uashington, kështu që do të tërheq emrin tim për të shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm. Departamenti i Drejtësisë i Trumpit duhet të jetë në vend dhe gati që ditën e parë. Unë mbetem plotësisht i angazhuar që Donald J. Trump të jetë presidenti më i suksesshëm në histori”, deklaroi ai.

Gaetz ka qenë nën hetime nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me akuzat për ngacmim seksual që përfshijnë një vajzë 17-vjeçare.

Ai ka qenë gjithashtu nën vëzhgim nga Komiteti i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve për akuza të tjera, duke përfshirë abuzim seksual, përdorim droge dhe pranim të dhuratave të papërshtatshme.

Të mërkurën në mbrëmje Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve nuk arriti të bjerë dakord nëse duhet ta publikonte ose jo raportin e tij hetimor për ish-ligjvënësin Gaetz.