Super Liga, që të dielën dukej e pandalshme, u shpërbë për dy ditë. Nëse Florentino Perez dhe Andrea Agnelli ishin nismëtarët e projektit, ata që e shkatërruan ishin anglezët.
Mbretëria e Bashkuar ishte ajo që e priti më keq nga të gjithë lajmin e kompeticionit të ri. Tifozeritë protestuan ashpër, ndërsa frika për shkatërrimin e një produkti shumë të suksesshëm si Premier League, bëri që të viheshin të gjithë në lëvizje.
Sipas spanjolles “AS”, qeveria britanike kontaktoi me klubet “rebele” dhe u bëri të qartë se, pavarësisht se ligjërisht nuk mund ta ndalonte Super Ligën, mund të aprovonte një taksë shumë të rëndë luksi dhe mbi të gjitha, falë Brexit-it, mund të vështirësonte çështjen e lejeve të qëndrimit për futbollistët e huaj.
Klubet e dinin që kryeministri Boris Johnson mund ta bënte realitet këtë kërcënim. Përballë këtij rreziku, reagimit të tifozëve dhe luftës me UEFA-n, Manchester City, Liverpool, Tottenham, Manchester United, Arsenal dhe Chelsea vendosën që më e mira ishte të tërhiqeshin.