Bota Telefonata e parë Biden-Xi: Çfarë u bisedua mes dy krerëve të superfuqive

Telefonata e parë Biden-Xi: Çfarë u bisedua mes dy krerëve të superfuqive

Joe Biden ka përfituar nga Viti i Ri kinez për të ngritur telefonin dhe të fliste me homologun kinez Xi Jinping: E para bisedë zyrtare mes tyre që kur presidenti i ri është në Shtëpinë e Bardhë. Një “bisedë preliminare” e kanë cilësuar mediat amerikane. Ata kanë prekur një seri çështjesh në lidhje me tensionet mes dy vendeve, por të udhëhequra nga pragmatizmi.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ngriti shqetësimet në lidhje me të drejtat e njeriut për komunitetin e ujgurëve. Biden gjithashtu i bëri presion Xi mbi tregtinë, shtypjen e protestave në Hong Kong dhe tensionet e vazhdueshme me Tajvanin.

Sipas televizionit shtetëror kinez, Presidenti i vendit paralajmëroi Biden se marrëdhëniet e këqija do të ishin një katastrofë për të dy vendet.

Tensionet janë rritur në kohët e fundit, rreth tregtisë, spiunazhit dhe pandemisë. Lideri kinez mbajti një ton të ashpër në lidhje me Hong Kongun, Xinjiang dhe Tajvanin, për të cilin Xi i tha Biden se janë çështje të sovranitetit dhe integritetit territorial.

Qeveria e Tajvanit, e cila ka akuzuar qeverinë e Pekinit për stërvitjet ushtarake pranë ishullit të pretenduar nga kinezët, falenderoi Biden për shprehjen e shqetësimit të tij.

Telefonata ishte thirrja e parë midis Xi dhe një Presidenti amerikan që kur lideri kinez foli me ish-Presidentin Donald Trump në Mars të vitit të kaluar. Që atëherë, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë rënë në nivelin e tyre më të keq në dekada, ku Trump ka fajësuar Kinën për pandeminë Covid-19.

Gjatë administratës së Trump, Shtetet e Bashkuara filluan një seri veprimesh kundër Kinës, duke përfshirë një luftë tregtare, sanksione kundër zyrtarëve dhe firmave kineze që perceptohen si kërcënime të sigurisë dhe sfidojnë pretendimet territoriale të Pekinit në detin e Kinës Jugore.

Administrata e Biden do të shikojë në muajt e ardhshëm shtimin e kufizimeve të reja në eksporte të caktuara. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ende nuk do të ndryshojë urdhrin për të hequr tarifat që ish-administrata Trump la në vend kundër importeve kineze.