Kryesore Telefonatat e fundit/ “Hajde se mbaroi”, si i ndanë paratë mes tyre...

Telefonatat e fundit/ “Hajde se mbaroi”, si i ndanë paratë mes tyre grabitësit e Rinasit

“Hajde se mbaroi”. Kjo ka qenë telefonata e bërë mes dy të pandehurve Neim Avdulaj dhe Admir Çerpja, vetëm dy ditë pas grabitjes së 3.8 milionë dollarëve më 3 dhjetor 2015. Më datë 5 dhjetor, në banesën e Neimit kishte shkuar një person i quajtur A. (pa gjeneralitete të plota) dhe i ka dhënë 5 çanta me lekë.

Menjëherë pas kësaj, nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Neim Avdulaj ka marrë në telefon Admir Çerpjan dhe i ka thënë “Hajde se mbaroi”. Këto para, Neimit i ishin dhënë që ai t’ua shpërndante personave që e kishin ndihmuar atë dhe “grupin” që të jepnin informacione për lëvizjet e blindave me para që do të bëheshin në drejtim të Rinasit.

Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se në të dyja grabitjet, atë të 3 dhjetorit 2015 dhe 9 shkurtit të këtij viti, Admir Çerpja ka pasur rolin e “sekserit”. Fillimisht, u dyshua se Çerpja dhe personi tjetër që vijon të jetë në kërkim nga policia, Admir Murataj, ishin në rolin e organizatorit, por në bazë të deklarimeve të personave nën hetim, ka rezultuar se detyra e Çerpjas ishte ndërmjetës mes informatorëve dhe ekzekutorëve. Kjo pasi, ditën e ngjarjes, më datë 03.12.2015, shtetasi Neim Avdulaj ka qenë në shtëpi kur i ka ardhur një mesazh nga shtetasi Ditjon Memlika, me tekstin “Kemi lëvizje sot”.

Një mesazh ditën e ngjarjes, Neim Avdulajt i ka ardhur edhe nga shtetasi Fation Xhyliu, i cili e njoftonte për lëvizjen e mjeteve për në Rinas. Pas kësaj, Neim Avdulaj ka vënë në dijeni me SMS, personin që në celular e kishte të shënuar me emrin “shoku”. Neim Avdulaj nuk e dinte se kush ishte ky person që atë ditë kishte numrin celular ku ka nisur SMS-në.

Nga “shoku” i është kthyer përgjigjja “OK, në rregull”. Më pas, ndërsa ka qenë në banesë, Neim Avdulaj ka marrë vesh nga televizioni për vjedhjen e të hollave në aksin Qafë-Kashar – Rinas. Duke u nisur nga kronologjia e ngjarjes, edhe mbi faktin se dy ditë pas grabitjes së parave, Avdulaj ka telefonuar Çerpjan, dyshohet se ky i fundit ka qenë ndërmjetës në dhënien e informacioneve. Ndërsa, në lidhje me grabitjen e datës 09.02.2017, Avdulaj kishte si detyrë që informacionet që kishte t’ia kalonte Çerpjas.

Kështu, nga hetimet ka rezultuar se Avdulaj, përgjatë një periudhe prej 8 muajsh, ka qëndruar në një kafe të ndodhur në “E…” (qendër tregtare), nga ku ka parë lëvizjet e mjeteve të blinduara të bankës, me drejtim për në Rinas. Këtë informacion, shtetasi nën hetim ia kalonte Admir Çerpjas. Ditën e ngjarjes, informacioni është përcjellë me tekst “Doli vajza”. Për të çuar SMS-në, Neim Avdulaj ka marrë dy numra te tregu i dollarit, nga të cilët njërin e kishte mbajtur vetë dhe tjetrin ia ka dhënë shtetasit Admir Çerpja.

Arrestimi i Admir Çerpjas

35-vjeçari u arrestua mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00. Admir (Gjuljano) Çerpja u kap në fshatin Zalldardhë të Dibrës. Në momentin e ndërhyrjes së policisë, ky person po afrohej për t’u futur në fshatin Zalldardhë për të blerë ushqim.

Burime pranë policisë bënë me dije se në momentin e ndalimit të tij, i riu nuk ka bërë rezistencë ndaj uniformave blu, të cilat më pas e shoqëruan atë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për ta marrë në pyetje lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas të njëjtave burimeve, mësohet se 35-vjeçari nuk ka pranuar të flasë për hetuesit, duke pohuar se këtë gjë do ta bëjë në një moment të dytë.

Pasditen e djeshme, në Bathore, Tiranë, shumë pranë banesës së 35-vjeçarit, policia gjeti të groposur një tenxhere me presion të mbushur me euro dhe paund. Në operacion për kapjen e tij u përfshinë forcat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, RENEA, Forcat e Posaçme Operacionale dhe FNSH. Tashmë numri i personave të arrestuar në lidhje me dy grabitjet e ndodhura në rrugën e Rinasit ka shkuar në 5, ndërsa i vetmi person që vijon të jetë në kërkim është Admir Nikaj (Murataj). Më herët, policia vuri në pranga shtetasit Fation Xhyliu, Ditjon Memlika, Ernest Kupa dhe Neim Avdulaj.

(Gazeta Shqiptare)