Pas një periudhe të gjatë heshtjeje mes Perëndimit dhe Moskës, Emmanuel Macron dhe Vladimir Putinfolën me telefon për herë të parë që nga maji.
Diskutimet u fokusuan për centralin bërthamor Zaporizhia, ku funksionojnë vetëm dy nga gjashtë reaktorët, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për rrezikun e një incidenti bërthamor për shkak të pranisë së trupave ruse në zonë.
Vladimir Putin paralajmëroi homologun e tij francez se bombardimi i termocentralit bërthamor të Zaporizhia-s në jug të Ukrainës, të cilin ai ia atribuoi Kievit, mund të rezultojë në shkatërrim të gjerë.
Moska dhe Kievi kanë fajësuar njëri-tjetrin për bombardimin e zonës që është shtëpia e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, i cili u kap nga Rusia në mars, por që vazhdon të funksionojë me teknikë ukrainas. Vetëm dy nga gjashtë reaktorët janë funksionalë.
“Vladimir Putin, në veçanti, theksoi se granatimet sistematike të ushtrisë ukrainase të zonës ku ndodhet termocentrali bërthamor Zaporizhia ka krijuar rrezikun e një fatkeqësie në shkallë të gjerë që mund të çojë në ndotje radioaktive të një zone të madhe toke,” tha Kremlini në një deklaratë.
Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për përgatitjen e provokimeve në stacion. Kievi pretendon se forcat ruse planifikojnë të shkëputin centralin bërthamor nga rrjeti i energjisë ukrainase dhe ta lidhin atë me rrjetin rus.
Kremlini njoftoi se Putin dhe Macron theksuan rëndësinë e dërgimit të një delegacioni nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në centralin bërthamor sa më shpejt të jetë e mundur.
Putin, sipas deklaratës së Kremlinit, konfirmoi gatishmërinë e Rusisë për t’u ofruar inspektorëve të IAEA-s ndihmën e nevojshme.
Të dy presidentët ranë dakord të vazhdojnë bisedimet e tyre në ditët në vijim për këtë çështje pas bisedimeve të grupit teknik dhe para vendosjes së misionit, thuhet në një deklaratë për bisedën telefonike mes dy presidentëve dërguar gazetarëve nga zyra e Macron.
Autoriteti i menaxhimit të termocentralit bërthamor të Ukrainës tha sot se dyshon se Moska ka në plan të shkëputë termocentralin bërthamor të Zaporizhia nga rrjeti i Ukrainës, një operacion kompleks që Kievi thotë se mund të sjellë katastrofë.