Pas më shumë se 5 muajsh bllokim, rinis dialogu mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me homologun grek Aleksis Cipras.
Sipas mediave greke, dy krerët e qeverive biseduan rreth përgatitjeve të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe reformat që duhen përmbushur për hapjen e negociatave.
Temë bisedimi, mësohet se kanë qenë gjithashtu zhvillimet rajonale dhe marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.
Sipas agjencisë së lajmeve ANA-MPA, që citon burime të qeverisë në Athinë, dy kryeministrat, njëherësh edhe ministra të Jashtëm, janë përqendruar gjithashtu në diskutime rreth Detit Jon, Ligjit të Pronave dhe të drejtave të minoriteteve.
Pas mbylljes së kapitullit të Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Cipras duket se është fokusuar në dialogun me Shqipërinë. Negociatat Tiranë-Athinë, të udhëhequra nga dy ish-ministrat e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kocias u konkretizuan në rezultate të rëndësishme dhe afruan ndjeshëm palët.
Por pas ngjarjes së 28 Tetorit në Bularat, ku pas një shkëmbimi zjarri me policinë shqiptare mbeti i vrarë Kostandin Kacifas, dialogu mbeti i ngrirë, deri këtë të enjte.
Ndër çështjet e lëna pezull është ajo për përcaktimin e kufirit detar dhe zonave ekskluzive ekonomike, heqja e Ligjit të Luftës dhe çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi.
Mes të dyja vendeve janë nënshkruar disa marrëveshje që lidhen me njohjen e patentave, heqja e vulës apostile dhe varrezat e ushtarëve greke në vendin tonë.