Përfundoi vite me vonesë dhe me një kosto më të lartë nga sa ishte parashikuar, por teleskopi i ri i hapësirës i NASA-s mund të shënojë një epokë të re për astronominë.
Teleskopi “James Webb” mbledh informacione mbi fazat e para të universit, mbi përbërjen e yjeve dhe nëse planetët përtej sistemit tonë diellor mund të jenë të përshtatshëm për të jetuar.
Misioni i instrumentit të ri, që do të nisë nga përdorimi këtë javë, përfshin kërkimet për galaksinë e parë, për objekte të ndritshme pas Universit dhe mësimin se si galaksitë evoluuan nga lindja e tyre deri në ditët e sotme.
“Ne njohim vetëm një planet ku jeta ekziston dhe ai është Toka, por sërish, motivi përse ne po lëshojmë një teleskop si ky është se një numër i madh planetësh ndodhet në galaksi dhe ne duam ta gjejmë atë që ka temperatura dhe përmasa të ngjashme me Tokën”, tha Dr. Knicole Colon nga NASA.
Teleskopi, i pajisur me vëzhgim infra të kuq, është i projektuar të jetë 100 herë më i ndjeshëm se paraardhësi i tij. Ai do të lëshohet në hapësirë më 24 dhjetor, në një raketë të llojit “Ariane 5”, nga një bazë në Guianën Franceze, në bregun veri-lindor të Amerikës së Jugut.
Teleskopi, që ka 4 instrumenta shkencorë, kushtoi 8.8 miliardë dollarë, me shpenzimet operacionale që pritet ta çojnë koston totale të tij në rreth 9.6 miliardë.
Prodhimi i tij nisi në vitin 2009 dhe NASA shpresonte ta lëshonte në 2011-n, por data u shty në mënyrë të vazhdueshme.