Me lëvizjen për të zhvendosur Taulant Ballën në kabinetin e tij qeveritar si ministër i Brendshëm, Edi Rama ka shtuar “oreksin politik” të deputetëve të tjerë për të marrë drejtimin e grupit socialist.
Ky vend vakant brenda radhëve të mazhorancës ka futur deputetet e PS-së në garë me njëri-tjetrin se kush do të jetë ai apo ajo që do të meritojë besimin e kryetarit të partisë.
Deri sa Rama të vendosë në fillim të vjeshtës, pretendentët do të duhet të kalojnë këto ditë të nxehta vere me dyshimin se mos dikush tjetër do të jetë i përzgjedhuri për të zëvendësuar Taulant Ballën.
A2 CNN ka mësuar se deri në shtator këtë detyrë do ta kryejë nënkryetari i grupit socialist Toni Gogu, i cili për shkak të pushimeve të verës dhe mbylljes së punimeve të Kuvendit nuk do të ketë gjithsesi shumë angazhime politike.
Arben Pëllumbi, Ministrja e Shtetit për Parlamentit, Elisa Spiropali, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj dhe vetë Gogu janë emrat më të përfolur brenda rrethit të socialistëve për t’u promovuar në një rol më të rëndësishëm si bashkëpunëtorë më të ngushtë me kryeministrin për agjendën parlamentare të partisë.
Dëshira nuk i mungon asnjërit prej deputetëve aktivë, pavarësisht se në komunikimet me ta thonë që ky është një vendim i kryetarit të partisë, të cilin me gjasë do ta mësojnë live. Ata do të jenë gati për të marrë detyrën në momentin që kreu do ta përcaktojë.
Me këtë arsyetim, Rama i hoqi Ballës në shtator 2021 postin e Sekretarit të Përgjithshëm duke ia kaluar Damian Gjiknurit, por këtë verë lëvizja e kungujve nën sqetulla mund të prekë edhe kabinetin qeveritar.
Zërat brenda partisë e konsiderojnë të domosdoshme nevojën për ndryshime në disa poste ministrore, sidomos pas goditjeve në imazh me çështjen Ahmetaj, apo hetimit për korrupsion të Brukselit për fondet e bujqësisë.
Me mandatin e Olta Xhaçkës që pritet të shkojë para Gjykatës Kushtetuese, ndryshimet në krye të diplomacisë shqiptare konsiderohen gjithashtu të nevojshme, por në PS nënvizojnë se nuk mbajnë me kaq./ A2 CNN