Muaji tetor do të sjellë vjeshtën e vërtetë. Temperaturat do të ulen dhe çadrat do duhet t’i marrim me vete. Sinoptikanët parashikojnë që javën që vjen të kemi reshje shiu disa ditë me radhë.
“E marta dhe në vijim për një periudhë 4-5 ditore do kemi krejtësisht ndryshim të tablos sinoptike, pasi presim ardhjen e një sistemi të dendur vranësirash, i cili gjatë ditës së mërkurë dhe ditës së enjte presim që të na sjellë sasi më të konsiderueshme të reshjeve. Gjatë muajit Tetor parashikohet të jetë disi normale përsa i përket reshjeve. Gjithashtu vlera përsa i përket temperaturave, do të jenë shumë pranë vlerave normale klimatike”, është shprehur meteorologia e njohur Adiola Bani nga Meteoalb.
Por, fundjava e parë e muajit të dytë të vjeshtës do të jetë me diell dhe e përshtatshme edhe për ata që duan të shkojnë pranë detit
“Fundjava na sjell kryesisht mot të kthjellët. E shtuna do të jetë me kthjellime dhe vranësira lehta, ndërsa e diela do të jetë kryesisht me diell”, ka treguar meteorologia.
Temperaturat e ulëta dhe moti tipik vjeshtor do të mbizotërojë edhe në rajon, në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.