Arrin në 250 numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit kombëtar të koduar “Tempulli”, për goditjen e grupeve të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
216 janë masa sigurie të ekzekutuara dhe 30 janë arrestuar në flagrancë.
Listës së të ndaluarve, i bashkohen dhe katër të rinj të cilët u arrestuan në Kukës.
Të arrestuarit në qarkun e Tiranës, janë pjesë e 7 grupeve të shpërndarjes së kokainës, heroinës, dhe kanabisit. Mësohet se mes të arrestuarve janë edhe 5 femra. Ato ishin me masë më të butë sigurie të caktuar në mungesë. Për 3 arrest në shtëpi dhe 2 të tjera detyrim paraqitje.
Një prej tyre ishte me fëmijë të mitur dhe shtatzënë, e ndërsa një tjetër në moshën 68 vjeçe. Nga vëzhgimet që oficerë të antidrogës kanë bërë në terren ka rezultuar se pjesa më e madhe e tyre e shpërndanin drogën me taksi dhe motor për të mos u identifikuar nga policia.
Ndërsa në zonën e Kombinatit, ku u prangosën 22 persona, blerësit shkonin vetë për të marrë dozat e lëndës narkotike. Të premten policia e Kukësit njoftoi se u zbulua një ambient në Krumë, i përshtatur për përdorim dhe shitje në doza të kanabisit si dhe për organizim të lojërave të fatit.
Në këtë ambient u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sattiva, e ndarë në disa doza të gatshme për shitje, një valixhe me sende për lojën “Poker” dhe 4 celularë.
Gjatë operacionit Tempulli policia sekuestroi armë zjarri dhe armë të ftohta, qindra kilogramë drogë, peshore elektronike, vlera monetare, automjete dhe pajisje si të policisë.
Sekuestrimet gjatë operacionit “Tempulli”:
– 13 armë zjarri dhe 5 armë gjahu/sportive
– 1 elektroshok dhe 8 armë të ftohta
– 134 kg kanabis, 364 fara kanabisi, 1.2 kg kokainë
– mijëra doza kanabisi, kokaine, heroine, dhe MDMA
– tableta ekstazi, sasi të drogave sintetike GAB dhe Poppers
– 23 peshore elektronike, 3 mjete përpunimin dhe ndarjen e drogës
– 225 celularë, 39 automjete, 1.8 milionë lekë të rinj
– 38,845 euro, 6,100 paund, 1,100 dollarë
– 12 targa, pajisje si të Policisë dhe dokumente false