Përfundon efekti “i izolimit” në rritjen e lartë të konsumit për produktet kryesore të shportës. Importet e vajit dhe drithërave ulen për 4-mujorin e 2021 në raport me 2020. Kompanitë raportojnë shitje të larta të pijeve alkoolike. Rritja e kërkesës në tregun e brendshëm pas karantinës është 25%
Dorina Azo*
Pas karantinës së vitit të kaluar dhe pasojave që solli pandemia në konsum dhe investime, ekonomia vendase po i rikthehet gradualisht normalitetit.
Konsumi i vajit dhe miellit në periudhën janar-prill të këtij viti është me rënie, pas rritjes së lartë në periudhën e karantinës. Për produktet e tjera, u prekën më shumë nga ndryshimi i sjelljes konsumatorë, tendenca është në rritje. Distributorët kryesorë të shitjeve me shumicë të mallrave të konsumit pohojnë rritjen më të lartë të shitjeve për pijet alkoolike dhe drithërave të shëndetshme, ndërsa shitja e detergjenteve është në të njëjtin nivel, si në karantinë. Parashikimet janë optimiste nëse me nisjen e sezonit do të ketë turistë të huaj dhe emigrantë.
Në bare dhe restorante, frekuentimi vazhdon të jetë me rënie. Drejtues të Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve pohojnë se orari i kufizimit të lëvizjeve, është faktori kryesor i rënies së xhiros. Sektori i transportit nuk po rikuperon ende numrin e frekuentimit të pasagjerëve që pas rinisjes nga puna më 6 korrik 2020.
Operatorët thonë se faktorët kryesorë të rënies janë emigracioni dhe përdorimi i lartë i mjeteve praktike të lëvizjes, siç janë skuterët elektrikë. Efekti i pandemisë është zbehur edhe te pasagjerët e autobusëve në Tiranë, pasi shumë prej tyre nuk përdorin më maskën mbrojtëse dhe nuk respektojnë distancimin social.
U rritën ndjeshëm gjatë karantinës, bie importi i vajit dhe drithërave
Sipas të dhënave të INSTAT, importi për grupin e mallrave “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” në muajt janar-prill 2021 është 9,8% më i ulët se në 2020-n. Në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, importet janë 20% më shumë. Edhe importi i drithërave këtë vit është me rënie 30% krahasuar me 2020.
Në muajt janar-prill 2020, drithërat u rritën 24% në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, pas karantinës, që orientoi konsumatorët drejt produkteve bazë të shportës. Importi i sheqerit për grupin “Sheqernat dhe ëmbëlsirat prej tij” është rritur 6% krahasuar me vjet, ndonëse është më i ulët se në 2019.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Erbiron sh.p.k”, e cila ka ekskluzivitetin e importit të vajit të botiluar hungarez “Floriol”, Tedi Maraj, tha për “Monitor” se shitjet e vajit për periudhën janar – prill janë reduktuar 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Konsumi i vajit është më i ulët në këtë periudhë krahasuar me vjet, pasi shumë individë blenë më shumë sesa ju nevojitej në karantinë, nga frika se sa do të zgjaste izolimi. Kjo vihet re edhe te produktet e misrit, bizeles dhe fasules së konservuar që patën shitje të larta në periudhën mars-maj. Aktualisht, krahasuar me 2020, shitjet për këto produkte janë 20% më pak.
Arsye tjetër e tkurrjes së konsumit të vajit dhe konservave është rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve për shkak të krizës nga Covid-19. Nëse këtë vit do të ketë prurje të emigrantëve dhe turistëve të huaj parashikojmë që konsumi për këto produkte të jetë më i lartë se sezonin e kaluar”, thekson z. Maraj nga kompania “Erbiron”.
Konsumi është në rënie edhe për produktet miell, sheqer, oriz, fasule sipas të dhënave të shitjeve për 4-mujorin e 2021 të kompanisë “Teuta” krahasuar me janar-prill të 2020-s. Drejtoresha e Financës, Junis Uruçi, thotë se shitja e këtyre produkteve “u fry” për shkak të izolimit.
“Njerëzit po blinin më shumë sesa konsumonin, duke qenë të prirë të krijonin rezerva për shkak të pasigurisë nga pandemia. Për muajt janar-prill 2021 shitjet e miellit kanë rënë 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020. Rënia më e lartë është ndier te fasulet 63%, vaji 43%, sheqeri 29% dhe orizi 24%”. Ndryshe është konsumi te drithërat e shëndetshme. Në 2021, shitjet e tyre janë më të larta se në periudhën e karantinës.
Sipas përfaqësueses të kompanisë “Teuta”, arsyeja kryesore është hedhja në treg e disa llojeve të reja të drithërave, por edhe vazhdimi i rutinës së krijuar në karantinë për të konsumuar sa më shumë produkte të shëndetshme. “Shitjet e majasë janë 105% më të larta se në periudhën e karantinës, kjo pasi shumë familje vazhdojnë të bëjnë bukën në shtëpi. Rritje të lartë ka pasur edhe shitja e makaronave 93% krahasuar me vjet, për shkak të hapjes të restoranteve dhe hoteleve. Shitja e drithërave, si: kuinoa, kus-kus, bullgur, tërshërë është rritur 38% më shumë se 2020”.
Shitjet e pijeve alkoolike, më të larta se në karantinë
Karantina dhe mbyllja e më pas kufizimi në orar i bareve e restoranteve solli dhe rënien e ndjeshme të konsumit të pijeve alkoolike vitin e kaluar. Këtë vit, situata është krejt ndryshe.
Në 2021, importet e pijeve alkoolike u rritën rreth 26% më shumë se në 2020, sipas INSTAT. Në raport me 2019, importet janë rreth 12,5% më të larta. Rritja e lartë e konsumit të pijeve alkoolike konfirmohet edhe nga kompania më e madhe e shitjeve me shumicë në vend, “Agna Group”. Përfaqësues të kompanisë thanë për revistën “Monitor” se shitjet e pijeve alkoolike në periudhën janar-prill janë 20 deri 30% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-s.
“Konsumi i alkoolit këtë vit është rritur për shkak të hapjes së bareve, restoranteve dhe hoteleve, të cilat qëndruan mbyllur në periudhën e izolimit. Në shërbimet HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene) është shënuar rritje e shitjeve edhe të pijeve freskuese, ndërsa ka pasur rënie të tyre në rrjetet e supermarketeve. Me hapjen e ekonomisë dhe fillimin e shkollave, shitjet kanë qenë më të larta se vjet edhe për produktet si çokollatat, kroasant dhe patatinat. Preparatet larëse të enëve dhe detergjentët janë në të njëjtat nivele si në karantinë”, nënvizuan drejtuesit e kompanisë “Agna Group”.
E njëjta ecuri për konsumin e këtyre produkteve reflektohet edhe për kompaninë “Marketing & Distribution”. Drejtori i shitjeve në terren të distributorit më të madh të artikujve ushqimorë, Genti Çela, tha se rritja e shitjeve për birrën, alkoolin dhe kafenë ka ardhur për shkak të hapjes së ekonomisë. “Përdorimi i detergjentëve është rritur 2-3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vjet në karantinë, për shkak të frikës nga infektimi, individët shtuan kujdesin ndaj pastërtisë dhe higjienës, duke rritur përdorimin e produkteve dhe preparateve larëse. Efekti është më tepër sezonal, pasi gjithmonë në stinën e pranverës dhe verës, shitjet e detergjentëve shënojnë rritje. Arsye tjetër është se konsumatori vazhdon të ruajë rutinën e muajve të karantinës për kujdesin e higjienës. Rritje në të njëjtat nivele është shënuar edhe për kafenë, birrën dhe alkoolin edhe në kushtet kur dasmat nuk po lejohet të mbahen dhe klubet e natës vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe longe-t”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, importet e cigareve në muajt janar-mars 2020 patën rritje të lehtë krahasuar me 2019. Për 2021, importi i cigareve ka rënë 3%. Për sa i përket konsumit të cigareve, sipas të dhënave të kompanisë “Agna Group”, shitjet e 4-mujorit të 2021 ishin 4 deri 5% më të larta se në 2020. Rritja sipas kompanisë vjen për shkak të hapjes të ekonomisë.
Baret dhe restorantet
Për muajin maj, xhiroja në bare dhe restorante është 20% më pak krahasuar me muajin mars dhe prill të këtij viti, kur frekuentimi ishte më i lartë. Xhiroja e bareve dhe restoranteve është më e ulët se njëjta periudhë që pas 18 majit kur u hap ekonomia në 2020. “Menduam se shkak i rënies së frekuentimit ishte muaji i Ramazanit, por pas përfundimit të tij u vu re se gjendja nuk u përmirësua.
Arsye tjetër është që shumë njerëz janë familjarizuar me jetën e karantinës, ku tashmë edhe kafenë apo vaktet e ngrënies i konsumojnë në shtëpi apo në zyrë. Në anën tjetër, shumë familje priren të kursejnë për të mbledhur të ardhurat për pushimet. Problem është edhe orari i lejimit të lëvizjes, deri në orën 23:00. Pas përfundimit të orarit, njerëzit po shkojnë më tepër në kazino, të cilat janë kthyer edhe në diskoteka në këtë periudhë pandemie”, thotë Henri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve.
Duke filluar nga 1 qershori, masat kufizuese kundër Covid-19 në Shqipëri u lehtësuan. Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme. Për këtë arsye, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që orari i lejimit të lëvizjes të shtyhej deri në 23:00. Klubet e natës, diskot, vazhdojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00. Nga 1 korriku, orari i lejimit të lëvizjeve do të jetë deri në orën 24:00, ndërsa orari i lejimit të muzikës do të mbetet i pandryshuar.
Shoqata e Bareve dhe Restoranteve parashikon që ndryshimi i orarit të lejuar të lëvizjeve do të përmirësojë xhiron te këto shërbime. “Ndryshimi i orarit do të sjellë, hap pas hapi, rikthimin në normalitet, pasi shumë njerëz që dalin nga puna kanë dëshirë të frekuentojnë baret apo restorantet deri në orën 11:00 apo 12:00 të darkës”.
*Burimi: Revista Monitor