Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dhënë vendimin për 10 të akuzuarit për abuzimin me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.
Drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari është dënuar me 1 vit burg dhe 5 vjet heqje e të drejtës për ushtruar funksione publike.
Gjykata ka dhënë të njëjtin vendim edhe për Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Anisa Bogdani, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Kreshnik Bejkaj.
Gëzim Mingaj, Aurora Mulla janë dënuar me shërbim prove ndërsa Klevis Hasani është liruar nga burgu.
Të akuzuarit kanë përfituar ulje të dënimit me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u arrestuan 5 muaj më parë pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë në vitin 2020, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.
Sipas SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari – të shkarkuar në 1 korrik nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi – i kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.
Hetimet nisën pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga deputetët e opozitës parlamentare rreth një viti më parë, duke ngritur pretendime se punonjësit e Agjencisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme krijuan kushtet për të paracaktuar fituesin e tenderit me vlerë 25 milionë euro dhe afat 4 vjeçar.
Në kallëzim të akuzuarit kryesor ishin ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka si dhe kompanitë “Marsi &Al” dhe “D&E shpk”.