Politika Tension dhe sherr mes mbështetëses së Bashës dhe Evi Kokalarit në selinë...

Tension dhe sherr mes mbështetëses së Bashës dhe Evi Kokalarit në selinë e PD

Pas mbledhjes së forumit të gruas të PD në selinë e partisë, aktivistja Evi Kokalari, është përballur me disa zonja, mbështetëse të Lulzim Bashës në shkallët e godinës.

Ndërsa po flisnin për mediat bashkë me Albana Vokshin për atë që do të bënin deri në 18 dhjetor, ku sipas vendimit të marrë nga kuvendi kombëtar i PD do të ratifikohet me referendum në degë shkarkimi i Bashës, një grua i është afruar zonjës Kokalari, duke e pyetur se kush ia paguante udhëtimet që bënte nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë. Konfrontimi fizik mes dy grave u shmang nga Albana Vokshi.

Kokalari u votua të shtunën e kaluar nga delegatët për të qenë pjesë e komisionit të rithemelimit të PD. Basha dhe mbështetësit e tij nuk e njohin kuvendin e 11 dhjetorit dhe vendimet e dala prej tij dhe kanë thërritur një tjetër kuvend, me 18 dhjetor.

Sherri

“Sa rrugë ke bo? Kush të ka paguar ty? Sa rrugë ke bërë Amerikë-Shqipëri, për çfarë arsye mashtron, pse mashtron, mashtruese?”, iu drejtua një nga militantet Evi Kokalarit.

“Kjo është fytyra e Lulzim Bashës”, u përgjigj Kokalari.

“Ik në Amerikë, kthehu”, iu përgjigj militantja e PD.

“Mos më prek me dorë”, dëgjohet të thotë Kokalari.

Albana Vokshi: Ju e shikoni çfarë po përdor Lulzim Basha. Ta dini që vullnetin e demokratëve askush nuk e ndal dot. Kemi bërë vetëm mbledhjen e parë, do vijojmë për organizimin më të mirë.

Ndërkohë më herët në prononcimin për mediat, Kokalari tha se në mbledhjen e zhvilluar sot në selinë e PD, “u diskutuan tëra gjërat që do bëjmë do vijojmë punën gjithë java në punë. Shumë nga ne do jenë në terren”.

“Pavarësisht nga dhuna kjo është dhunë verbale dhunë që çfarë ndodhi më parë Basha duhet të mbajë përgjegjësi. Unë jam votuar nga delegatët për të qenë pjesë e komisionit të Rithemelimit. Këto që i dërgon Lulzim Basha kjo është dhunë verbale e dhunë psikologjike. Ja ku i keni kanë mbyllur gjithë dyert e bravat e nuk arrijnë të kontrollojnë dy gra. Ky është Lulzim Basha kjo është një gjë e turpshme kjo është dhunë psikologjike, kjo është ndërtesë e PD, kjo është kryetarja e forumit të Grave në 8 vjet”, tha Kokalari.