Kryesore Tension i lartë në mazhorancë, Rama i krahason me qentë, LSI kundërsulmon

Tension i lartë në mazhorancë, Rama i krahason me qentë, LSI kundërsulmon

Nuk ka të ndalur përplasja mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste.

Mes dy aleatëve, gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një betejë me replika të hidhura, sa duket sikur këto dy parti janë në opozitë me njëra-tjetrën dhe jo se po drejtojnë së bashku një qeveri.

Pak pasi kryeministri Rama reagoi në faqen e tij në Facebook, duke mbrojtur punën e suksesshme të Policisë së Shtetit dhe duke shtuar në fund shprehjen “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, LSI i kundërpërgjigjet me deputetin e Gjirokastrës, Vangjel Tavo.

Në një prononcim për mediat, Tavo ka hedhur akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit, si dhe shprehet i shqetësuar për kanabisin në jug të vendit.

“Drejtuesit e policisë janë pozicionuar politikisht. Tahiri t’u mësojë rolin që kanë drejtuesve të policisë. Këta drejtues janë duke dëmtuar LSI-në. I kam kërkuar Tahirit largimin e këtyre drejtuesve, pasi Jugu i Shqipërisë është i gjelbëruar. Policia të merret me punën e saj, jo me politikën. Disa drejtues policie bashkëpunojnë me trafikantët”, është shprehur Tavo.

Ndërkohë që dje, ministri i Mjedisit Lefter Koka lëshoi një arsenal të tërë akuzash ndaj qeverisë dhe u rreshtua haptazi kundër një koalicioni të ri me Partinë Socialiste në zgjedhjet e këtij viti.

Ndërkohë një tjetër lajm i dalë nga selia e LSI ishte në përmasat e tragji-komikes.

Në një mbledhje urgjente të deputetëve të grupit parlamentar të LSI-së dhe kryebashkiakëve të kësaj force, ata janë paralajmëruar të jenë të kujdesshëm për shkak se nga “policia mund t’ju vendoset drogë nëpër makina”.

Sipas Neës 24 mbledhja urgjente është thirrur nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili.

Ky zhvillim shënon një pikë të re tensioni mes dy partive.

Po pse ky sulm i koordinuar i LSI-së ndaj ministrit të Brendshëm Tahiri.

Duke lënë mënjanë përplasjet e hershme mes Metës dhe Tahirit, zanafilla e sulmit frontal të LSI duket se ka shkaktar Klement Balilin.

Tahiri lëshoi dje kritika ndaj kreut të LSI, Ilir Meta dhe presidentit Nishani nga mbledhja për analizën vjetore të Policisë së Shtetit që u mbajt në Berat.

Kritikat e Tahirit erdhën pas vendimit të kreut të shtetit për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për rastin “Balili” .

Kreu i rendi tha se çuditej nga fakti, kur kjo strukturë nuk është mbledhur as për Lazaratin.

“Po çuditet publiku pasi Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as kur Lazarati ishte aty. Megjithatë unë jam shumë i kënaqur të informoj Këshillin e Sigurisë dhe pa asnjë diskutim edhe Presidentin e Republikës,  i cili për arsyet e veta është i pa informuar. Por jam akoma më i bindur që asnjë pengesë, asnjë insinuatë, politike ose jo nuk do më ndalonte kurrë mua dhe aq më pak policinë e Shtetit të bënte detyrën ndaj atyre që deri dje ishin të pandëshkueshëm dhe atyre që deri dje ishin të pabarabartë dhe që nuk i prekte njeri.

E Balil e Balila mund ti kenë ende ditët e numëruara por shumë shpejt do të jenë përpara drejtësisë”, deklaroi Tahiri dje.

Dhe menjëherë pas kësaj deklarate të Tahirit për Balilin, i përfolur se ka mbështetjen e LSI-së, eksponentët e kësaj partie nisën një sulm të mirorganizuar ndaj Tahirit.

Nga ana tjetër, Policia organizoi sot një tjetër operacion kundër Balilit, për të treguar edhe njëherë se ai do ti ketë ditët e numëruara.

Ndërsa beteja PS-LSI, duket se do të kthehet në një telenovelë deri me afrimin e datës së zgjedhjeve.