Tensioni mes Rusisë dhe Ukrainës është i lartë. Veçanërisht ditën e fundit, tensionet në lindje të Ukrainës janë rritur ndjeshëm. Mediat ruse raportuan për dy shpërthime të fuqishme në qytetet e Donetskut dhe të Luhanskut, ndërsa banorët e tyre po evakuohen në drejtim të Rusisë.
Mediat ruse raportojnë se forcat ukrainase po sulmojnë edhe me mortaja në drejtim të forcave proruse në ato zona. Ndërkohë, SHBA në reagimet e ka cilësuar këtë situatë si të sajuar nga Moska për të gjetur një pretekst për të sulmuar Ukrainën.
Në anën tjetër, Agjencia gjermane e lajmeve DPA, ka raportuar mbrëmjen e së premtes, teksa citon burime brenda aleancës, se NAPO po rrit nivelin e gatishmërisë së mijëra trupave për shkak të krizës në Rusi.
Me rritjen e tensioneve në lindje të Ukrainës, ushtarët në front i vizitoi edhe presidenti Volodimir Zelenski. E teksa në pjesën tjetër të territorit të vendit, ushtria ukrainase vijon stërvitjet përgatitore për një sulm të mundshëm nga Rusia, ministria ruse e Mbrojtjes publikoi të tjera pamje, që sipas saj janë dëshmi e largimit të trupave nga kufijtë me Ukrainë. Por perëndimi akuzon Moskën se po gënjen se është duke u tërhequr, ndërsa thotë numri i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës ka arritur nga rreth 100 në 150 mijë.
Ndërkohë Presidenti Rus Vladimir Putin do të mbikëqyrë këtë të shtunë stërvitjet nga forcat bërthamore të Rusisë. Zëdhënësi i Kremlinit tha se e gjitha kjo është pjesë e një stërvitjeje normale dhe se nuk po tentojnë të përshkallëzojnë situatën.
Në këtë stërvitje do të lëshohen raketa balistike dhe lundruese me të cilat Rusia kërkon t’i tregojë edhe një herë botës fuqinë e saj nukleare.
Në rajonin Donetsk në lindje të Ukrainës rebelët pro-rus filluan largimin e popullsisë së tyre nga vendi. Diçka e tillë është cilësuar nga Perëndimi se do të përdorej si justifikim që Moska të sulmonte.