Situatë aspak e qetë te kombëtarja e Kosovës pas humbjes së turpshme në shtëpi përballë Rumanisë me rezultatin 3-0, ndeshje e vlefshme kjo për Nations League.
Trajneri Franco Foda së bashku me Federatën, në një vendim të përbashkët kanë vendosur të përjashtojnë nga grumbullimi 3 lojtarë, për thyerje të rregullave.
Të përjashtuarit janë Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija, teksa është e paqartë se çfarë rregullash kanë thyer ata.
Në një reagim të Federatës Kosovare të Futbollit mësohet se Komiteti Ekzekutiv do të mblidhet së shpejti për të vendosur për masat e mëtejshme për 3 futbollistët.
“Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata. Për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë, do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ndërkohë, ekipit do t’ i bashkohet, portieri që ka qenë në listen e pritjes, Faton Maloku nga FC Drita”, thuhet në reagimin e FFK.