Komisioni i Ligjeve është shoqëruar me debate me tone të ashpra mes sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi dhe zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.
Teksa Bejtja ka thënë se në burg për vjedhje energjie ka pasur maksimumi 10 persona, kjo është kundërshtuar nga opozitarët që kanë thënë se ka pasur edhe viktima që janë vetëvrarë në burg si pasojë e arrestimit se nuk kishin paguar energjinë elektrike.
Por Bejtja tha se kjo ka ndodhur për shkak të depresioni dhe jo prej faturave të papaguara të energjisë. Komentet e Bejtjes janë kundërshtuar nga Bardhi, pasi sipas tij, zv/ministri ofendoi një të vdekur.
Në këtë moment debati është nxehur mes të dyve dhe me tone të larta Bejtja i është drejtuar Bardhit duke i thënë “Ti ke vrarë një njeri në Elbasan mor dhe s’ke kërkuar falje akoma”. Ndërkohë Bardhi i është kundërpërgjigjur me fjalët “Ik mor hajdut”.
Ilir Bejtja: U tha një konstatim, 38 mijë qytetarë në burg. Kjo vlen vetëm për Kinën zonjë. Gjithsej ne kemi kallëzuar penalisht 2100 veta, midis tyre 700 punonjës tonë dhe burg 48 orë mund t ë kenë bërë që t’ju bëj qejfin 10 vetë. Dhe këta kanë qenë vjedhës, ndërhyrës të paligjshëm në rrjetin elektrik.
Gazment Bardhi: Kjo nuk është e vërtetë!
Ilir Bejtja: Keni qenë ministër Drejtësie mund t’i referoheni periudhës suaj dhe ta nxirrni.
(Një nga deputetët e opozitës përmend rastin e vetëvrasjes së një qytetari në burg sepse ishte në qeli për vjedhje energjie)
Ilir Bejtja: Ai ka pasur depresion, ai e ka pasur 35 mijë lekë të vjetra. Ia solli mendja e vet se për 35 mijë lekë të vjetra nuk varet njeri. Dashi është edhe jurist. Nëse mban mend nga koha që ke qenë prokuror nëse një njeri është varur për një borxh prej 35 mijë lekë të vjetrash, unë nuk po tallem zonjë.
Gazment Bardhi: Ju lutem ruani etikën për ato që kanë ndërruar jetën. Tërhiq fjalët! Sapo fyet një të vdekur.
Ilir Bejtja: Ai ka qenë në burg për 35 mijë lekë.
Gazment Bardhi: Tërhiq fjalët sepse sapo fyet një të vdekur.
Ilir Bejtja: Nuk kam fyer një të vdekur.
Klotilda Bushka: Zoti Bejtja nuk jeni duke u dëgjuar.
Gazment Bardhi: Nxirre përjashta, të kërkojë ndjesë. Të kërkojë ndjesë dhe pastaj të marrë fjalën.
Klotilda Bushka: Zoti Bejtja sapo kërkoi ndjesë.
Gazment Bardhi: Fyeu një të vdekur, s’ka turp.
Ilir Bejtja: Ti e ke të vrarin në Elbasan. Ti ke vrarë një njeri në Elbasan mor dhe s’ke kërkuar falje akoma.
Gazment Bardhi: Kujt i tregon ti për Elbasanin.
Ilir Bejtja: Ty të tregoj!
Gazment Bardhi: Ik mor hajdut aty!
Ilir Bejtja: Ti je hajdut nga koka te këmbët!
Gazment Bardhi: Ça të kam vjedh unë ty?
(Ndërpritet transmetimi)