Seanca e sotme parlamentare ku është i pranishëm edhe kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri nisi me një minutë heshtje për aksidentin me 14 viktima në Shkup, por pas shprehjes së dhimbjes për tragjedinë, nga Edi Rama dhe Lulzim Basha, u regjistrua një përplasje.
Menjëherë pasi kryedemokrati Basha u ul në vendin e tij, kryeministri Rama mori fjalën dhe i kërkoi falje Talat Xhaferrit për fjalët që tha lideri i opozitës në foltore.
“I dashur miku ynë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë. Unë u kërkojë ndjesë për këtë shkelje të kodit të etikës. Dua t’u them se fëmija që sapo foli jo vetëm nuk i mendon ato që thotë por edhe nuk di se çfarë thotë”, tha Rama.
Basha
Kreu i opozitës duke ju drejtuar Talat Xhaferrit tha se Parlamenti është shndërruar në një mort të dytë për vendin, ndërsa Shqipëria është e kapur nga një grusht oligarkësh, ç’ka do të pengojë hapjen e negociatave tona edhe këtë qershor.
“Jeni të pranishëm në një Parlament të paligjshëm të zgjedhur nga bandat e krimit të organizuar. Ju jeni të pranishëm në një sallë që quhet kuvend, por është i mbushur me njerëz që kanë ardhur si shprehje e vullnetit të bandave dhe krimit të organizuar dhe një grusht oligarkësh. Hajdutë me lekë të vjedhur kanë blerë dhe mandatet e ulur në këtë karrige. Të shtunën protesta do të zhvillohet protesta më e madhe në Shqipëri në këto 30 vite. Kjo qeveri ka tradhtuar interesin publik, u kap në flagrancë duke vjedhur. 1 në 3 mandate nuk përfaqëson votën e socialistëve, por të krerëve të bandave, narkomanëve”, tha Basha.