Opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike nis protestën ku përmes mosbindjes civile bllokoi disa akse kryesore në Tiranë.
Janë bllokuar 3 pika të kryqëzimit te Rruga e Elbasanit, pranë Xhamisë së Namazgjasë.
Kanë ndërhyrë forcat policore pasi ka shumë automjete të bllokuara.
Në pamje shihet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka që ka përplasje fizike me njërin prej efektivëve të policisë.
Duket se situata është tensionuar menjëherë mes uniformave blu dhe protestuesve.
Këta të fundit kanë si synim paralizimin e lëvizjes në kryeqytet, si një prej formave të mosbindjes civile.
Sipas opozitës, protesta-marshim pritet të zgjasë deri në orën 20:00.
Për të paktën 3 orë akset e bllokuara do të jenë Rruga e Elbasanit, sheshi Wilson, aksi te Pallati me Shigjeta, rruga pranë Bashkisë së Tiranës dhe rrethrrotullimi i Zogut të Zi.
Opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike për të organizuar zgjedhjet parlamentare 2025.