Merkatoja e dimrit solli pak ndryshime te Lacio, vetëm Jovane Kabral dhe federimin e Dimitrije Kamenoviç, i ardhur që në verë, por vetëm tani ai mund të luajë me klubin roman. Shumë pak për trajnerin Mauricio Sarri dhe tifozët, të cilët kanë shpërthyer kundër klubit dhe veçanërisht ndaj Igli Tares, drejtorit sportiv të Lacios.
Sarri kishte kërkuar një mbrojtës të majtë, dy mesfushorë dhe një sulmues që të jetë zëvendësues i Imobiles, pas largimit të Muriqit. Kazale qëndroi te Verona, Riçi kaloi te Torino dhe Vesino mbeti tek Interi. Ishin këta lojtarët që donte trajneri Sarri për t’i dhënë më shumë stabilitet një skuadre me shumë ulje-ngritje deri tani.
Trajneri Sarri, sipas shtypit italian, është tërbuar me lëvizjet e klubit në merkato dhe ka dalë hapur kundër Tares. Po ashtu, edhe tifozët janë kapur me drejtuesin shqiptar të Lacios, duke kërkuar që ai të japë dorëheqjen. Sarri ka kërkuar nga klubi që t’i dëgjohet zëri, në të kundërt rinovimi nuk do të bëhet.
Për merkaton e dobët, por edhe për çmimet e biletave, që nuk u kanë pëlqyer, ultrasit e Lacios kanë planifikuar një protestë ditën e enjte në qendrën sportive. “Merkatoja e Lacios është qesharake, si gjithmonë. Është pasojë e një projekti, që nuk egziston. Lacio është e jona dhe jo e atyre që e administrojnë. Tani mjaft”, – shkruhet në njoftimin e tifozëve lacialë.