Aktualitet Tensione në gjyqin për “Plumbin e Artë”, Dumani rrëfen lokalin që përdorej...

Tensione në gjyqin për “Plumbin e Artë”, Dumani rrëfen lokalin që përdorej nga ministra dhe politikanë

Tensionet mes të pandehurve dhe të penduarit të drejtësisë nuk kanë munguar as në seancën e së enjtes të dosjes “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme.

Në procesin që po zhvillohet me dyer të mbyllura prej tre seancash, Nuredin Dumani, ka vijuar dëshminë e tij, duke ju përgjigjur pyetjeve të avokatëve.

Sipas burimeve brenda seancës, Dumani ka deklaruar se me të pandehurit Festim dhe Petrit Qolin është bërë mik në vitin 2013 e në vazhdim pasi ata paguan avokatin dhe ndërhynë në sistemin e drejtësisë për ta nxjerrë nga burgu me një raport mjekësor si i sëmurë.

Dumani ka deklaruar se lokali i Qolëve frekuentohej nga politikanë e ministra, por nuk ka përmendur emra të tyre. Gjatë seancës, i pandehuri Gentjan Sharra ka kundërshtuar thëniet e Dumanit, teksa ai e ka implikuar në një ngjarje kriminale, pasi në deklarimet fillestare para prokurorëve nuk e kishte përmendur.