Kryesore Tensione në Kuvend/ Po filmonte telefonin e Berishës, Flamur Noka godet operatorin

Tensione në Kuvend/ Po filmonte telefonin e Berishës, Flamur Noka godet operatorin

Një incident është shënuar gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje, ku një operator i mediave të akredituara është qëlluar me rregulloren e Kuvendit nga ana e deputetit Flamur Noka.

Shkak për reagimin e paprecedentë të Nokës, ishte filmimi që kameramani po i bën telefonit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në momentin që po filmohej, Berisha po shihte një video denoncim që i kishte ardhur në Whatsapp.

Në lidhje me veprimin e deputetit demokrat reagoi dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e cila i tërhoqi vërejtje Nokës dhe tha se duhet treguar respekt ndaj medias së lirë.

“Kam dhe një vërejtje ndaj jush zoti Noka, nuk mund të reagoni ndaj medias ashtu duke i qëlluar me rregulloren e parlamentit. Respekte ndaj medias së lirë, nuk mund të rri pa reaguar kur shoh një veprim të tillë. Nuk janë kameramanët e mi, por të medias së lirë”, tha Nikolla.

Nga ana tjetër deputeti Noka u shpreh se është e turpshme të filmohen telefonat e deputetëve të parlamentit.

“Është turp që filmohen telefonat e deputetit”, tha Noka.