Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama shprehu edhe njëherë mbështetjen e unionit për procesin e integrimit të Shqipërisë në familjen europiane.
Teksa vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në rajon, Borrell foli edhe për tensionet në veri të Kosovës ku iu bëri thirrje të dy palëve të ulen në tryezën e dialogut dhe të lenë pas tensionet.
Borrel e cilësoi Shqipërinë si një komunitet vlerash dhe të sigurt, duke shtuar se ka bërë shumë progres në gjithë sektorët. Ai falenderoi gjithashtu kreun e qeverisë shqiptare për angazhimin e tij për të gjetur një zgjidhje efektive sa i takon situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kam parë suportin e qeverisë shqiptare dhe njerëzve të Shqipërisë dhe gjatë kësaj kohe kemi pasur një dialog transparent dhe të rëndësishëm dhe dihet sa e rëndësishme është Evropa për këtë vend. Shqipëria do të ecë 100% në BE, shoh Shqipërinë një komunitet vlerash dhe të sigurt. Ju gjithmonë mund të vini në BE për të marrë gjithë suportin që ju duhet dhe gjithashtu i gjithë Ballkani Perëndimor ka nevojë të ketë një siguri dhe të vazhdojë më tej në këtë drejtim.
Ne kemi diskutuar për lehtësirat në dialogun Prishtinë-Beograd dhe Edi Rama ka tentuar për një zgjidhje për situatën. Të gjitha palët në Kosovë dhe Serbi duhet të deeskalojnë këtë situatë dhe BE ka bërë propozimin të cilin ata duhet ta pranojnë. Duhet të ketë një zgjidhje të situatës, të dyja palët të jenë dakord. Situata kërkon një ndërhyrje të menjëhershme, faleminderit Edi që je këtu dhe për gjithë mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi”, deklaroi Borrell.
Nga ana tjetër, Rama u tregua mirënjohës për inkurajimin që mori prej përfaqësuesve të BE-së këto dy ditë në Bruksel dhe shpresoi në një zgjidhje sa më të shpejtë për rajonin, e veçanërisht për dialogun Prishtinë-Beograd.
“Fillimisht takimi me Presidentin e Këshillit Evropian e përfaqësues të tjerë, jemi të kënaqur që na inkurajoni dhe thoni fjalë kaq të mira. Në të gjithë rrugën e reformave do vazhdojmë dhe jemi shumë të vetëdijshëm që jemi gati për hapin e radhës, njëkohësisht ishte shumë e shëndetshme të ndanim opinionet tona për diçka që është shumë e rëndësishme momentalisht dhe ju po punoni shumë, që ka të bëjë me stabilitetin e gjithë rajonit dhe gjithë progresin.
Ne jemi pjesë e rajonit që ka vuajtur shumë në të shkuarën, që nuk mundet të ketë një shikim mbrapa dhe ku ngjarjet nuk janë gjithmonë të ndara nga njëra-tjetra. Ne nuk mund të shikojmë vetëm shtëpinë tonë, pa shqetësime se çfarë po ndodh rreth e rrotull dhe situata nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën e Serbinë, por gjithë rajonin. Faleminderit që ndamë më shumë evidentime ose gjetje që kemi bërë, shpresoj shumë që ideja që një konferencë e nivelit të lartë të jetë e realizueshme që t’i sjellë skuadrat e dy vendeve në BE dhe të mos dalin jashtë pa arritur një zgjidhje të gjithë situatës, që duhet të jetë e pranueshme nga të gjithë. Jam i lumtur që më në fund janë liruar 3 policët dhe është koha për çtensionim sepse është gjithnjë e më urgjente. Shqipëria është e angazhuar të punojë me ju dhe gjithë miqtë tanë, kemi shumë gjëra për të bërë. Kemi procesin e Berlinit, kemi bërë progres dhe nuk mund të lëmë këtë situatë në vend të dytë”, u shpreh Rama.