Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp, paralajmëroi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë se po rrezikojnë “një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë, në mes të cilës do të përfshihej pastaj edhe KFOR-i”.
Rama bëri të ditur se dy ditë më parë u ka dërguar një letër Presidentit të Francës Macron dhe Kancelarit të Gjermanisë Scholz që të ndërhyjnë për t’i dhënë një shtysë të re raportit mes Kosovës dhe Serbisë që prej disa javësh tashmë janë në klimë tensioni.
Rama bëri të ditur se situata në veri të Kosovës rrezikon që të shkojë në një përplasje fatale.
“Nga ana tjetër dua t’ju informoj se pardje i kam nisur një letër të dytë pas asaj të statutit, Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz, për dijeni edhe Presidentit të KiE lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re konkrete të Francës dhe Gjermanisë që plani franko-gjerman të zbatohet medoemos.
Në kushtet kur degradimi i situatës në veri po e rrit me orë klimën e tensionit duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë çka do ishte një katastrofë në mes të së cilës do përshihej pastaj paevitueshmërisht KFOR-i.
Por përplasja e cila edhe sikur 3 orë të zgjaste do rezultonte fatale dhe për gjithë çka është bërë në këto vite përpjekje nisma, ndërveprime, në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë sonë përsëriti se pa lirimin e 3 policëve të Kosovës, “nuk ka mundësi për përparim në dialog”.
“As normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi nuk mund të ketë pa lirimin e tyre. Ata nuk kanë kryer asnjë krim, por edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit, dihet botërisht që për kalim të paligjshëm të kufirit, njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht. Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme”, theksoi Rama.
“Nëse Serbia ka pretendime për arrestimet e pjesëtarëve të minoritetit serb në Kosovë, këto nuk argumentohen duke mbajtur peng 3 policë shqiptarë, por duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar”, shtoi kryeministri.
Sipas tij, nga përplasja Kosovë-Serbi ka vetëm një fitues: Rusia.