Vera po përfundon, por tensionet në Mesdheun Lindor mbeten të larta, teksa anijet turke dhe ato greke vijojnë lundrimin në ujërat e kontestuara nga të dyja palët. Presidenti i Turqisë, Erdogan është shprehur se për çdo zhvillim negativ i vetmi vend përgjegjës do të jetë Greqia dhe do të jetë e vetmja që do të vuajë pasojat.
Një deklaratë e tillë ishte kundërpërgjigje ndaj reagimit të kryeministrit grek, Mitsotakis i cili u shpreh se ekzistojnë rreziqe për incidente për të cilat fajtore do të jetë Turqia.
Por çfarë do të sillte përshkallëzimi i krizës?
“Unë nuk mendoj se ju mund të përjashtoni mundësinë e një shpërthimi, ka të ngjarë që të ndodhë rastësisht. Sidoqoftë, unë mendoj se kjo krizë me Turqinë në Mesdheun Lindor ka treguar që Presidenti Erdogan nuk dëshiron një konfrontim me Greqinë, por po ndjek me një mënyrë shumë të kujdesshme një strategji të një tensioni të kontrolluar.
Theksi është tek kontrolli”, shprehet Panagiotis Tsakonas, profesor për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Athinës.
Në 10 gusht Ankaraja dërgoi anijen e kërkimit ‘Reis’ në Mesdheun Lindor për të eksploruar një zonë, e cila sipas Athinës i përket Greqisë. Ndërsa Turqia pretendon se ka të drejtë shfrytëzimi.
“Ne e kemi parë këtë krizë për më shumë se 10 vjet dhe tani po shohim se të dyja vendet kanë mbrojtur pretendimet e tyre. Marrëveshja turke me Libinë për ndarjen e Mesdheut Lindor shtoi tensionet. Më vonë u shfaq edhe marrëveshja e Greqisë me Egjiptin, kështu që ne po shohim që të dyja shtetet po bëjnë presion për të marrë maksimumin”, thotë Hamdi Firat Büyük, analist politik.
Kriza në Mesdheun Lindor është në agjendën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE, të cilët të enjten dhe të premten mblidhen në Berlin.
Cila duhet të jetë përgjigjja e duhur e Evropës?
“Sanksione të mundshme të BE kundër Turqisë padyshim do të dërgojnë një mesazh të forte për Ankaranë. Megjithatë, besoj se ato janë vetëm pjesë e një strategjie më gjithëpërfshirëse që BE duhet të zhvillojë drejt Ankarasë.
Kjo strategji duhet të jetë një ndërthurje e afrimit gjerman me qasjen franceze të frenimit të agresionit turk”, thotë profesori Panagiotis Tsakonas.
“Nuk jam i sigurt se do të ketë një deklaratë të përbashkët si më parë. Turqia dhe BE kanë tashmë marrëdhënie jo të mira dhe penalizimi i Turqisë, sanksionet ose deklaratat e ashpra vetëm sa do t’i përkeqësojnë raportet Turqi-BE”, thotë Hamdi Firat Büyük, analist politik.
Për momentin luftanijet greke dhe turke vijojnë të lundrojnë në detin Mesdhe, një zonë e mbushur me tensione.