Nuk ka alternativë tjetër përveç paqes. Me këtë mesazh e kanë mbyllur takimin, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, dhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.
Dodik zhvilloi një vizitë në Ankara mes rindezjes së tensioneve në Bosnjë, që kanë nxitur shqetësimet për një rikthim të vendit në konflikt. Përfaqësuesit e Republikës Srpska janë tërhequr nga institucionet qendrore në shenjë kundërshtie ndaj ligjit që ndalon mohimin e gjenocidit dhe kanë kërcënuar të ndahen nga pjesa tjetër e vendit.
Pas darkës së punës me Erdoganin, Dodik tha se kishte informuar presidentin turk lidhur me situatën në vend, ndërsa theksoi se ishin pajtuar mbi faktin se kërcënimi me forcë nuk mund të zgjidhë asnjë problem.
Një ditë më parë, Dodik u takua me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.