Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbërrijnë në zyrën e kancelarit të Gjermanisë. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Berlin bisedoi me shefin e qeverisë Olaf Scholz, për situatën e krijuar mes të dyja shteteve, përveç temave të tjera.
Kreu i aleancës së fuqishme ushtarake ishte ai që foli lidhur zhvillimet e fundit, por edhe për misionin e KFOR-it.
“Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona, KFOR-i, do të vazhdojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë çdo hap të mëtejshëm përshkallëzues dhe t’i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian”, tha Stoltenberg.
Kancelari Scholz nuk foli për këtë temë, por qëndrimi i qeverisë gjermane është bërë i ditur tashmë.
Ministrja e jashtme, Annalena Baerbock, përmes një deklarate kërkoi nga Serbia lirimin e menjëhershëm të 3 policëve të Kosovës, si dhe rikthimin e palëve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë, në samitin e Komunitetit Politik Europian, të mbajtur në Moldavi, kancelari Scholz u angazhua personalisht bashkë me presidentin francez, Emmanuel Macron, për të gjetur një zgjidhje për krizën në veriun e Kosovës.
Ata bënë bashkë në një takim presidentët Vjosa Osmani dhe Aleksandër Vuçuç dhe pas negociatave dolën me një plan me 3 pika ku përfshihej mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, pjesëmarrja e serbëve lokalë dhe qetësimi i situatës.