Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri Albin Kuri është takuar mëngjesin e së dielës me drejtuesit e opozitës për të diskutuar në lidhje me tensionet në rritje me Serbinë pas vendosjes së masës së reciprocitetit për makinat që hyjnë nga ky vend.
Në takimin ku morën pjesë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Kurti i informoi ata në lidhje me situatën si dhe mori mbështetjen për veprimet e deritanishme.
“Takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës. U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftimin për media.
Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve.