Kur raportet mes Greqisë dhe Turqisë vijojnë të jenë të tensionuara, presidenti Erdogan nuk i ndal paralajmërimet e tij drejtuar shtetit helen.
Gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoninë e 98-vjetorit të fitores kundër ushtarëve grekë, Erdogan u shpreh se lufta e Turqisë për pavarësi dhe të ardhme më të mirë vijon edhe sot.
“Nuk është absolutisht rastësi që ata që kërkojnë të na përjashtojnë nga Mesdheu Lindor janë të njëjtët pushtues që u përpoqën të pushtonin atdheun tonë një shekull më parë”, theksoi Erdogan.
Në fjalimin e tij presidenti turk bëri thirrje që të ulen tonet, pasi Turqia është e vendosur të mbrojë të drejtat e saj me çdo kusht.
“A e pranojnë qytetarët grekë atë çka mund t’ju ndodh për shkak të ambicies dhe paaftësisë së udhëheqësve të tyre? A e kuptojnë qytetarët francezë çmimin që duhet të paguajnë për shkak të ambicies dhe paaftësisë se liderëve?
Ne u bëjmë thirrje armiqve tanë të ulin tonet dhe të kenë më shumë besim. Gjithkush që do të përballet me ne në tokë, në det dhe në ajër, ka parë vendosmërinë tonë për të mbrojtur legjitimitetin e Turqisë, interesat dhe të drejtat që burojnë nga ligjet ndërkombëtare.
Ata që nuk e shohin, do të përballen me këtë realitet në çdo fushë, në tryezë dhe në platforma ndërkombëtare”, tha Erdogan,
Tensionet në ujërat e Mesdheut Lindor po rriten midis Turqisë dhe Greqisë. Ankaraja është duke kërkuar për burime natyrore pranë ishullit të Qipros, çka kundërshtohet nga Athina. Pas nisjes së përplasjes, Franca ka shtuar praninë ushtarake ne Mesdhe.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të dyja palët të gjejnë gjuhën e dialogut duke treguar solidaritet me Greqinë, e madje së fundmi kanë paralajmëruar edhe sanksione ndaj Turqisë.