Vijojnë të jenë të tensionuara raportet mes Greqisë dhe Turqisë. Athina bëri me dije se ka dërguar anijet ushtarake për stërvitje pranë zonës ku Turqia është duke kërkuar për burime natyrore te gazit në pjesën e diskutueshme të Mesdheut.
Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan akuzoi Greqinë se po “rrezikon sigurinë lundruese të të gjitha anijeve në rajon” dhe paralajmëroi se qëndrimi i saj ndaj ligjit ndërkombëtar e kishte shtyrë Greqinë “në një kaos nga i cili nuk mund të largohet”.
“Duke filluar nga tani, i vetmi që do të jetë përgjegjës për çdo pasojë negative në rajon do të jetë Greqia dhe e vetmja që do të dëmtohet do të jetë po ajo. Unë mendoj se fqinjët tanë grekë do të përfitojnë nga njohja e faktit, se që ata që nxjerrin Greqinë përpara marinës turke nuk do të qëndrojnë pas për t’i mbështetur”, tha presidenti turk.
Qeveria turke kundërshton pretendimin e Greqisë për të drejtat ekskluzive në ujërat ku anija kërkimore Reis e Turqisë tani po studion për burime natyrore.
Athina i cilëson këto kërkime të paligjshme. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian deri më tani e kanë mbështetur Greqinë, por vendet e BE duket se kanë qëndrime të ndryshme për një kërkesë të Athinës për të vendosur sanksione ndaj Turqisë.
Ndërkohë, Gjermania po shton përpjekjet diplomatike për të parandaluar tensionet midis dy rivalëve rajonalë që mund të përshkallëzohen më tej. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas do të përpiqet të rigjallërojë bisedimet midis dy fqinjëve duke u ndalur për vizitë në Athinë dhe në Ankara.
“Ne kemi një shqetësim të madh se këto tensione mund të kenë pasoja edhe më të rënda”, – bëri me dije zëdhënësi i qeverisë gjermane, e cila mban presidencën e radhës të BE, dhe është në mesin e vendeve të BE që konsiderohen të gatshme të vendosin sanksione ndaj Turqisë.
Ministrat e jashtëm të BE pritet që gjatë javës të diskutojnë mbi krizën në Mesdheun Lindor në një takim joformal në Berlin.