Për ish-presidentin Ilir Meta zhvillimet e një dite më parë në Kosovë, me tërheqjen e Listës Serbe nga institucionet janë një tendencë e vazhdueshme e Rusisë së Putin për të përshkallëzuar luftën në Ukrainë dhe për të krijuar vatra të reja krize në botë.
Kreu i Partisë së Lirisë shton se mbështet të drejtën e Kosovës për të zbatuar ligjin në territorin e saj, ndërkohë që bën thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Tensionimi i situatës në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura kriminale, që komandohen nga Beogradi, është një lojë tepër e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.
Kjo situatë përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë së Putinit për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë dhe tërheqjen e vëmendjes së opinionit botëror me krijimin e tensioneve dhe vatrave të reja të krizës në vende të ndryshme të botës.
Mbështesim çdo veprim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, për të mbrojtur rendin demokratik e kushtetues të vendit dhe bëjmë thirrje për ulje të tensioneve.
Qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të së drejtës legjitime të shtetit të Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës.
Bëjmë thirrje që drejtuesit shtetërorë dhe institucionalë të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, BE dhe NATO të gjejnë zgjidhjen e duhur për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Të gjithë me vetëpërmbajtje, durim dhe largpamësi duhet t’i shërbejnë forcimit të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës europiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit tonë!”, deklaroi Meta.