Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu rus Vladimir Putin, planifikojnë të takohen në Gjenevë më 10 janar për të diskutuar tensionet në Ukrainë dhe kërkesën e Moskës për garanci sigurie.
Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës duket se do të venë edhe një herë përballë njëri tjetrit, presidentin amerikan Joe Biden dhe atë rus, Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, siguroi se do të flasë sërish me homologun rus këtë javë, ndërsa sipas mediave amerikane po diskutohet mundësia e një takimi në prani fizike mes të dyve, më 10 janar në Gjenevë.
“Do të shohim”, tha Biden për gazetarët ditën e martë, pasi u pyet nëse do të takohet me Putin në 10 janar. Në këtë datë, janë planifikuar bisedime mes delegacioneve qeveritare të Moskës dhe Uashingtonit, për sigurinë në Europë. Pala ruse kërkon një tryezë për të diskutuar me karta të hapura për shqetësimet respektive.
“Nuk besoj se kolegët tanë do t’ia hedhin me fjalë boshe. Duam vërtet diçka serioze këtë herë. Nuk është një ultimatum, është theksuar disa herë edhe nga ministri i jashtëm dhe presidenti im. Është një propozim konstruktiv, por edhe një propozim që funksionon për të gjithë e që është në interesin e të gjithëve”, tha Dmitry Polyanskiy, zëvendës i dërguar i Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Transparencë të plotë aleatëve europianë”
Qeveria amerikane u premtoi aleatëve të saj në Evropë transparencë dhe solidaritet në lidhje me bisedimet e planifikuara me Rusinë për të shqyrtuar tensionet mbi Ukrainën.
”Uashingtoni do t’i përmbahet parimit ‘asgjë rreth tyre pa ata’ kur bëhet fjalë për çështjet që prekin aleatët e SHBA në Europë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Price theksoi se “dialogu strategjik mbi stabilitetin me Rusinë do të marrë një format dypalësh. Ne gjithmonë i kemi informuar plotësisht dhe tërësisht aleatët tanë pas takimeve të kaluara”.
Tensionet
Tensionet lidhur me situatën në Ukrainë mbeten të larta, me Uashingtonin që akuzon Rusinë se ka pozicionuar mijëra trupa rreth Ukrainës, me qëllim ndërhyrjen ushtarake. Sakaq, Kremlini këmbëngul në faktin se Perëndimi po cenon në mënyrë të rrezikshme kufijtë e Rusisë dhe i kërkon NATO-s të mos pranojë anëtarë të rinj, për të shmangur ngritjen e bazave të reja ne vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Në bisedime do të peshojnë edhe kërcënimet amerikane për të vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës, në rastin e pushtimit të Ukrainës.