Qeveria ruse zyrtarisht i ka konsideruar Shtetet e Bashkuara dhe Republikën Çeke “jo miqësore” një vendim i marrë në sfondin e tensioneve në rritje ruso-perëndimore, e shenjuar nga dëbime të shumta të diplomatëve.
Kremlini ka bërë të ditur se Çekia ka të drejtë të punësojë 19 diplomatë në ambasadë, ndërsa SHBA nuk do të ketë më një të drejtë të tillë. Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një ligj muajin e kaluar për të kufizuar numrin e stafit lokal që punon në misionet e huaja diplomatike dhe agjencitë e tjera dhe urdhëroi qeverinë të hartojë një listë të shteteve “jomiqësore” që do t’i nënshtrohen kufizimeve.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Çekisë u goditën keq muajin e kaluar kur çekët akuzuan inteligjencën ushtarake ruse se ishin pas një shpërthimi të vitit 2014 në një depo municionesh dhe dëbuan dhjetëra diplomatë rusë.
Rusia hodhi poshtë akuzat dhe u hakmor duke dëbuar diplomatët çekë, dhe gjithashtu urdhëroi Çekinë të hiqte shumicën e punonjësve të tyre në Moskë. Ministria e Jashtme çeke ka bërë të ditur se vendimi rus ishte në kundërshtim me një marrëveshje ndërkombëtare që zoton vendet për të mundësuar funksionimin e rregullt të misioneve diplomatike.
Çekët e panë veprimin nga federata Ruse si një përshkallëzim i mëtejshëm i mosmarrëveshjes midis dy vendeve. Nënshkrimi i këtij dekreti vjen disa ditë para takimit të parë të kreut të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në samitin më 20 Maj, në Islandë, që do të përgatisë një takim Biden-Putin në Qershor.