Kosova Tensionohet situata në veri të Kosovës

Tensionohet situata në veri të Kosovës

Serbia ka nisur provokimet ndaj Kosovës. Sot janë ngritur në fluturim avionë dhe helikopterë luftarakë serbë të cilët kanë fluturuar pranë kufirit me Kosovën. Avionët dhe helikopterët janë parë mbi hapësirën ajrore të Jarinjës. Serbia ka patrulluar nga ajri edhe me helikopterë “Mi-35”.

Megjithatë situata në të dy pikat kufitare është e qetë ndonëse pas mesnatës nga persona të dyshimtë është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok derisa në Zveçan u hodhën dy mjete shpërthyese, por që për fat të mirë nuk kanë eksploduar.

Sipas hetimeve preliminare djegia e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme, ka thënë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht para syve të Bashkësisë Ndërkombëtare, Serbia po i përdorë qytetarët e Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, ka shkruar Kurti në Faceboook.

Sipas tij sulme të tilla nga kriminelët nuk do të tolerohen. Në rrugët që të dërgojnë në të dyja pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak situata vazhdon të jetë e njëjtë.

Protestuesit po qëndrojnë afër barrikadave ku kanë qëndruar për 6 ditë me radhë ndërsa njësitet e Policisë së Kosovës janë vazhdimisht duke patrulluar.

Nuk mungojnë as patrullimet e KFOR-it nga ajri.