Tentativa për trafikim të 300 kilogramëve kanabis në shtator të këtij viti drejt Austrisë, ka tani një autor të tretë të arrestuar.
Në vijim të hetimeve lidhur me këtë rast, autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato malazeze kanë ndaluar në Sarandë 55-vjeçarin me iniciale E.B., pasi dyshohet se ai ka bashkëpunuar me babë e bir të arrestuar, konkretisht Ilirjan dhe Kristi Orhani që drejtonin kamionin ku policia malazeze gjeti dhe sekuestroi lëndën narkotike.
Lënda narkotike ishte e ndarë në 180 pako, dhe ishte fshehur në kamionin e ngarkuar me dërrasa dhe paleta prej druri.
Nga verifikimet e kryera nga autoritetet doganore në Mal të Zi, rezultoi se kamioni tip “Renault” kishte ardhur nga Shqipëria dhe kishte kaluar përmes pikës kufitare Bozhaj – Hani i Hotit.
“Vijojnë hetimet për të zbardhur këtë veprimtari kriminale, si dhe për të identifikuar dhe arrestuar të gjithë shtetasit e implikuar në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.