Aktualitet Tentativa për vrasjen e Xhevdet Plakut/ GJKKO dënon Kep Arapin, ish-shefin e...

Tentativa për vrasjen e Xhevdet Plakut/ GJKKO dënon Kep Arapin, ish-shefin e Krimeve Dedan Gjoni dhe dy të tjerë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 19.4 vite burgim në total 4 persona të akuzuar për tentativën e vrasjes së Xhevdet Plakut.

Kështu, Ramazan Rapi alias Kep Arapi është dënuar me 5 vite burgim.

Ish-shefi i Krimeve në Durrës, Dedan Gjoni është dënuar me 4.8 vite burgim. Po me 4.8 vite burg janë dënuar edhe Algert Rapi dhe Delvi Gjermëni.

Të gjithë të dënuarit janë gjykuar me proces të shkurtuar dhe kanë përfituar nga ulja e dënimit në masën 1/3.

Ekzekutimi i Plakut do të kryhej për hakmarrje.

Plani për vrasjen e Plakut u zbulua falë përgjimeve të autoriteteve holandeze ndaj Dejvi Gjermënit.

Gjoni në vitin 2019, me detyrë pranë Policisë së Durrësit, shoqëroi Xhevdet Plakun dhe njoftoi Gjermenin për orën se kur do ta lironte.

Gjermëni më pas njoftoi Algert Rapin, nipin e Rexhep Rapit për të kryer ekzekutimin e Plakut. Krimi i rëndë dështoi pasi Gjermëni kishte frikë se nga informacioni që dha do të zbulohej më vonë dhe gënjeu bashkëpunëtorët duke u thënë se shënjestra ishte larguar.

Nga hetimet e SPAK gjithashtu rezultoi se shkak për atentatin e planifikuar që nuk u realizua ishte pasi Rexhep Rapi dyshonte se Xhevdet Plaku ishte autor i vrasjes së një të afërmi të tij në Itali në vitin 2000.