Aktualitet Tentoi të vrasë me snajper Gazmir Dacin, lirohet Ergys Kolaveri i dënuar...

Tentoi të vrasë me snajper Gazmir Dacin, lirohet Ergys Kolaveri i dënuar me 20 vite burg

Një tjetër i dënuar me 20 vite burg është liruar nga Gjykata e Apelit në Tiranës.

Bëhet fjalë për Ergys Kolaverin, i cili tentoi të vrasë me snajper Gazmir Dacin në korrik të 2016, por nga atentati mbeti i plagosur gabimisht i dënuari nga Kosova Lili Dulaj.

Kolaveri u dënua me 20 vite burg në nëntor të vitit 2017.

Gjykata e Apelit ka vendosur që për Kolaveri të mbahet në arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike.

Ngjarja

Rreth orës 16:30 të 30 korrikut 2016, në ambientet e ajrimit të burgut të Vaqarrit u qëllua me armë nga jashtë ambienteve të burgut. Duket se autorët kishin informacion të detajuar mbi lëvizjet në qelitë e burgut. Por teksa kanë qëlluar me armë, mbeti i plagosur Lili Dulaj, i dënuar për një vepër të lehtë penale, çka ngriti që fillim dyshime se ai nuk ishte shënjestër.

Menjëherë pas plagosjes, nga zona afër burgut të Vaqarrit është larguar me shpejtësi një automjet tip Mercedes Benz Vito, i cili nga verifikimet sipas policisë, ka rezultuar se ishte në posedim të shtetasit Ergys Kolaveri. Në momentin e kapjes, ai ka qenë së bashku me kushëririn e tij Enea Caka, i arrestuar tashmë.  Policia ka gjetur një palë dylbi, por jo armën me të cilën ka qëlluar.

Hasmëria

Më 4 nëntor të vitit të shkuar, shtetasi Gazmir Daci ka vrarë me armë zjarri pas një konflikti të mëparshëm, shtetasin Valmir Kolaveri dhe ka plagosur rëndë vëllanë e tij Robert Kolaveri, i cili aktualisht është i paralizuar.