Aktualitet “Tentoi t’i ikte policisë, shkaktoi aksidentin e shumëfishtë”, detajet si u arrestua...

“Tentoi t’i ikte policisë, shkaktoi aksidentin e shumëfishtë”, detajet si u arrestua Laert Haxhiu në Janinë

Mediat greke kanë zbardhur të tjera detaje për arrestimin e Laert Haxhiut në Janinë.

31-vjeçari shqiptar, një nga të shumëkërkuarit në vendin tonë, u arrestua mbrëmjen e së hënës nga policia greke gjatë një ndjekje policore në autostradën kombëtare pranë aeroportit të Janinës.

Sipas shtypit grek, Laert Haxhiu po udhëtonte me një makinë tip BMW kur policia greke u vu në ndjekje të tij.

Mjeti ku Haxhiu ndodhej pasagjer nuk i ndaloi policisë por tentoi të largohej. Gjatë ndjekjes policore me makina, automjeti i tyre u bllokua në një semafor të kuq dhe përplasi 3 mjete të tjera.

Në makinë, 31-vjeçari nga Lushnja ishte së bashku me 2 persona të tjerë.

FOTO: MAKINA ME TË UDHËTONTE LAERT HAXHIU DHE 2 SHQIPTARËT E TJERË

Sipas mediave greke, policia nisi ndjekjen ndaj tij nën dyshimet se po bëhej transport i emigrantëve të paligjshëm. Laert Haxhiu i paraqiti policisë greke një dokument fals nën emrin e Mikin Askalidis 32 vjeç lindur në Gjeorgji.

Nga verifikimi i gjurmëve të gishtave, polici greke zbuloi se bëhej fjalë për një të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.

Edhe dy personat e tjerë që ndodheshin me Laert Haxhiun u arrestuan. Ata janë persona të njohur për autoritetet greke, njëri prej të cilëve Juxhin Bajrami 35 vjeç, kushëriri i Marius Diamantit nga Delvina që u vra në një karburant në Athinë dy vite më parë. Në atë kohë, 35-vjeçari vetë mbeti i plagosur.

Ka qenë pikërisht kushëriri i Mario Diamantit, raporton shtypi grek, shoferi i makinës BMW ku ndodhej Laert Haxhiu. Ai kishte ardhur nga Athina për të marrë 31-vjeçarin shqiptar.

Edhe personi i tretë që udhëtonte në makinë me Laert Haxhiun, një 22-vjeçar shqiptar, është person i kërkuar nga autoritetet shqiptare për plagosje të rëndë me dashje.

Tre të arrestuarve, policia greke u sekuestroi një shumë parash prej 1400 Euro dhe 4 celularë.

NJOFTIMI I POLICISË GREKE

Më 22 Maj 2023 gjatë orëve të mbrëmjes në Janinë u arrestuan 3 shtetas të huaj në kuadër të hetimeve për një rast transporti të emigrantëve të paligjshëm.

Ata janë një 31-vjeçar, një 35-vjeçar dhe një 22-vjeçar, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentacioni dhe dëshmi të rreme.

Shtetasit e huaj ndodheshin në një makinë që drejtohej nga 35-vjeçari dhe tentuan të shmangnin kontrollin e policisë.

Rezulton se 35-vjeçari dhe 31-vjeçari transportuan me makinë 22-vjeçarin i cili nuk ishte i pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Greqi dhe për të qëndruar ligjërisht në vend.

31-vjeçari ka paraqitur një kartë identiteti greke të paligjshme dhe nga verifikimet u zbulua identiteti i tij i vërtetë.

Në vijim të hetimeve u konstatua se 31-vjeçari ishte në kërkim nga Interpol Tirana për vrasje të mbetur në tentativë ndaj dy personave dhe armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu, rezultoi se 22-vjeçari është në kërkim kombëtar nga autoritetet shqiptare për plagosje të rëndë me dashje.

Në kuadër të hetimeve u sekuestruan makina, karta e identitetit, një shumë parash 1400 Euro dhe 4 celularë.

PËR ÇFARË AKUZOHET LAERT HAXHIU

32-vjeçari Laert Haxhiu ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjës me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetu në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona.

Gjithashtu Laert Haxhiu, u shpall në kërkim si njeriu kryesor në atentatin ku mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu në Tetor të 2017 në Lushnjë.

Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg perjetë, me vendim të formës së prerë në Shqipëri Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi, teksa Gjykata e Posaçme vijon gjykimin në mungesë të Laert Haxhiut që prej disa muajsh.

Sipas SPAK, dy viktimat në atentatin e Tetorit 2017 njiheshin si lidhje e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, dhe SPAK thotë se Shkurti ka qenë edhe objektiv i atentatit, ndërsa zanafilla e hakmarrjes lidhet me konfliktet  e vjetra të ‘Bandës së Lushnjës’.