Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit, pasi tentoi t’i vidhte me dhunë varësen një vajze në ambientet e një kishe.
28-vjeçarja ndodhej në objektin e kultit në lagjen “Kala” të qytetit, kur autori tentoi t’i merrte me dhunë varësen e floririt nga qafa.
Si rezultat i veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i 26-vjeçarit.
Ai rezulton një person me precedentë të mëparshëm penal, i dënuar më parë për vjedhje dhe për krime kundër personit.
“Ky shtetas ka ndjekur për disa minuta një 28-vjeçare që po vizitonte kishën në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit dhe më pas ka tentuar t’i marrë me dhunë varësen e floririt që ajo mbante në qafë, për pasojë i ka shkaktuar dëmtime fizike. Varësja e floririt u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.