Autorët e dy tentativa për të grabitur bankomatet, njëri në Kamzë e tjetri në Kurbin, ranë në prangat e policisë.
Rasti i parë në fakt ndodhi në 2014-n, por autori i ndalua tani nga policia e Tiranës. Bëhet fjalë për një 38-vjeçar i cili në Qershor të atij viti tentoi të vidhte një bankomat në Kamzë nëpërmjet përdorimit të një sendi të ngjashëm me kartën bankare. Tentativa e tij dështoi. Ai kishte mundur t’i shpëtonte autoriteteve deri më sot. Megjithatë tashmë do të duhet të përballet me akuzën e vjedhjes së mbetur tentativë.
“Në bazë të një procedimi penal të vitit 2014, të rifilluar në prill të këtij viti, specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Chips”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit: A. P., 38 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale ”Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit”, mbetur në tentativë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Francë dhe në Itali. Shtetasi A. P., më datë 28.06.2014, ka tentuar të vjedhë në bankomatin e filialit të një banke në Kamzë, nëpërmjet përdorimit të një sendi të ngjashëm me kartën bankare”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.
Një rast i ngjashëm u regjistrua edhe në Kurbin. Policia atje njoftoi se kishte identifikuar e arrestuar një 41-vjeçar, i cili më datë 1 shtator të këtij viti dëmtoi me mjete të forta një bankomat në Laç me qëllim që ta grabiste. Edhe ai dështoi në tentativën e tij dhe përfundoi në pranga.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit G. D. 41 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, mbetur në tentativë, pasi dyshohet se më datë 01.09.2022, 41-vjeçari ka dëmtuar me mjete të forta, bankomatin e një filiali banke të nivelit të dytë, në Laç, me qëllim vjedhjen e parave në të”, tha policia e Kurbinit në njoftimin e saj për mediat.