Aktualitet Tentuan të iknin në Greqi me 51 kg kanabis, policia iu prish...

Tentuan të iknin në Greqi me 51 kg kanabis, policia iu prish planet 3 të rinjve nga Korça në Kapshticë

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit” janë vënë në pranga 3 bashkëpunëtorë, të cilët tentuan të trafikonin në Greqi 51 kilogramë kanabis. Konkretisht janë arrestuar: J. S., 42 vjeç; E. M., 28 vjeç dhe S. S., 24 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë fazave hetimore të këtij operacioni, ku 42-vjeçari J. S., dyshohej se do të trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, organizuan punën dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e automjetit tip “Audi Q7”, që ai drejtonte.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, përfshirë edhe procesin e skanimit të kryer nga autoritetet doganore, në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 51 kilogramë kanabis të ndarë në pako.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një fabrikë riciklimi për vajrat e automjeteve, në pronësi të 42-vjeçarit, u gjet 1 armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Së bashku me sasinë e lëndës narkotike dhe armën e zjarrit, u sekuestruan 6 celularë dhe 5 automjete.

Nga hetimet e kryera dyshohet se bashkëpunëtorë të 42-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy të rinjtë e arrestuar. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.