Një person u arrestua dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim pasi tentuan të trafikonin për prostitucion në Gjermani një vajzë 20-vjeçare.
Në kuadër të operacionit të koduar “Fraud”, u arrestua shtetasi A. B., 31 vjeç, lindur dhe banues në Fier si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. K. dhe B. B., bashkëpunëtorë të shtetasit A.B.
“Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit E. K., B. B. dhe një shtetas tjetër ende të paidentifikuar kishin organizuar trafikimin në Gjermani, me qellim shfrytëzimin për prostitucion, të një shtetaseje 20-vjeçare.
Shtetasit E. K. dhe B. B. u shpallën në kërkim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për identifikimin e personit tjetër të përfshirë në këtë vepër penale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.