Mariglen Matjani 28 vjeç dhe Leart Hasalla 30 vjeç janë vënë në pranga pasi kanë tentuar të vrasin për motive gjakmarrje një 22-vjeçar në fshatin Ballagat të Lushnjes.
Nga të shtënat mbeti e plagosur halla e 22-vjeçarit, Bajame Senaj 60 vjeçe pasi ndodhej në të njëjtin makinë me nipin e saj në momentin e të shtënave.
Policia njofton se Leart Hasalla ka paguar Mariglen Matjanin, për të vrarë për motive gjakmarrjeje, 22-vjeçarin M. H, 22 vjeç (babai i të riut M. H. akuzohet për vrasjen e vëllait të Leart Hasalla).
Për të përmbushur porosinë e marrë, shtetasi Mariglen Matjani ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin qarkullonin shtetasi M. H. dhe halla e tij, 60 vjeçe Bajame Senaj. Kjo e fundit ka mbetur e dëmtuar në këmbë si pasojë e të shtënave.
Plagosja e gruas dyshohet se vjen si pasojë e një sherri të nisur dy vite më parë, mes dy fiseve Hasalla. E plagosura është motra e Kastriot Hasallës, i cili akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij Romeo Hasalla, më 29 Korrik të 2021-shit.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet si rezultat i një hetimi intensiv tremujor, të kryer me metoda speciale, operacioni policor i koduar “Pasoja e padëshiruar”.
Vihen në pranga porositësi dhe ekzekutori i tentativës për të vrarë me armë zjarri, për motive gjakmarrjeje, një 22-vjeçar.
Nga të shtënat mbeti e plagosur halla e 22-vjeçarit, pasi ndodhej në të njejtin automjet me këtë shtetas, në momentin e të shtënave.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me ata të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, si rezultat i një pune hetimore intensive tremujore, të kryer me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pasoja e padëshiruar”.
Si rezultat i provave të siguruara në kuadër të këtij operacioni, u bë e mundur zbardhja e plotë e një tentative për vrasje, e ndodhur më datë 30.03.2023, në fshatin Ballagat, si dhe kapja dhe vënia në pranga e shtetasve M. M., 28 vjeç dhe L. H., 30 vjeç, të dy banues në Ballagat, Lushnjë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi L. H. ka paguar shtetasin M. M., për të vrarë për motive gjakmarrjeje, shtetasin M. H, 22 vjeç (babai i shtetasit M. H. akuzohet për vrasjen e vëllait të shtetasit L. H.) Për të përmbushur porosinë e marrë, shtetasi M. M. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin qarkullonin shtetasi M. H. dhe halla e tij, shtetasja B. S., 60 vjeçe. Nga të shtënat ka mbetur e dëmtuar në këmbë, 60-vjeçarja.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.