Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, është shprehur në një deklaratë se ishte e nderuar për mbështetjen që ka marrë nga Presidenti Joe Biden dhe shtoi se ka ndërmend që ta fitojë nominimin si kandidate e demokratëve për Presidente.
Në deklaratën e parë që pas njoftimit të Joe Biden se tërhiqet nga gara presidenciale, Harris tha: “Jam e nderuar që kam mbështetjen e Presidentit dhe qëllimi im është që të fitoj nominimin”.
“Do të bëj gjithçka që të bashkoj Partinë Demokratike dhe kombin tonë, për të mposhtur Donald Trump dhe agjendën e tij ekstreme Projekt 2025. Kemi edhe 107 ditë nga dita e zgjedhjeve. Së bashku, do të luftojmë. Dhe së bashku, do të fitojmë”, shtoi më tej Kamala Harris.
Harris ka marrë mbështetje edhe nga çifti Bill dhe Hillary Clinton.
Sakaq, edhe demokratët kanë filluar t’i bashkohen thirrjeve të Presidentit për të mbështetur Harris si kandidate të tyre. Burime për CNN bëjnë me dije se Presidenti Joe Biden dhe Zëvendës Presidentja Kamala Harris patën një bisedë mes tyre përpara se Biden të jepte lajmin e largimit nga gara presidenciale. Megjithatë, nuk dihet se çfarë kanë biseduar mes tyre.