Tre janë kushtet që duhet të plotësoni për të printuar online Kartën e Shëndetit. Ekspertët e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme dhe Kujdesit shëndetësor bëjnë me dije se për të aplikuar online për marrjen e këtij dokumenti, së pari duhet të jeni i regjistruar pranë një mjeku familjeje dhe të jeni i pajisur me kodin e pacientit, më pas duhet të regjistroheni në portalin e-Albania, dhe së fundi të keni numrin personal të identifikimit sipas gjendjes civile (NID).
“Që të pajiset me kartën e shëndetit, personi i siguruar duhet të figurojë i regjistruar në regjistrin elektronik të mjekut të familjes. Personat që pajisen për herë të parë me kartë shëndeti duhet të paraqiten pranë mjekut të tyre të familjes për të verifikuar regjistrimin në regjistrin elektronik të tij. Mjeku i familjes kujdeset të verifikojë në regjistrin elektronik të personave të tij saktësinë e të dhënave të personit dhe të bëjë përditësimet, ose plotësimet e nevojshme nëse ka mospërputhje, apo mangësi”, bëjnë me dije ekspertët e Fondit.
Për t’u pajisur me Kartë Shëndeti, personi i siguruar mund të aplikojë online, pranë faqes www.e-Albania.al. Pasi logohet si “qytetar”, klikon në kategorinë “e-shërbime” ku zgjedh shërbimin elektronik “Aplikim për kartë shëndeti”. Duke klikuar butonin “Përdor” fillon procedura për pajisjen me kartë shëndeti. Sistemi vërteton të dhënat e personit dhe përcakton automatikisht kategorinë përkatëse të aplikuesit. Pas kësaj procedure duhet të klikon butonin “Apliko”,për të printuar kartën.
Aplikimi online bëhet në mënyrë personale nga personat e siguruar, ndërsa për fëmijët e moshës 0-18 vjeç, aplikimi bëhet nga prindi kryefamiljar i regjistruar në portalin “e-Albania”. E gjithë procedura në këtë rast kryhet përmes shërbimit: “Aplikim për kartë shëndeti për fëmijën nga kryefamiljari”. Më pas, duke ndjekur udhëzimet e shfaqura, aplikuesi mund të printojë, ose të shkarkojë kartën e shëndetit tek shërbimi “Gjenerimi i Kartës së Shëndetit”.
Karta e shëndetit e printuar online paraqitet në formatin e zakonshëm A4, e printuar bardhë e zi, ose me ngjyra. Në të paraqitet përmbajtja e të dy anëve të Kartës së Shëndetit e plotësuar me të gjitha rubrikat përkatëse. Gjithashtu në të ndodhet edhe barkodi, i cili shërben për të vërtetuar vlefshmërinë e kartës të njohur nga sistemi elektronik i Kartës së Shëndetit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Kjo kartë e printuar në këtë formë ka të njëjtën vlerë si kartat e lëshuara nga sportelet e Fondit dhe njihet nga të gjithë dhënësit e shërbimit shëndetësor publikë.