Papa Françesku e zgjidhi vetë misterin që ngjalli veprimi i tij i një dite më parë, kur tërhiqte duart që të mos ia puthnin besimtarët.
Videoja që tregonte këtë moment bëri shumë shpejt xhiron e botës, dhe shkaktoi shumë kërshëri. Çfarë e shtynte Atin e Shenjtë drejt një gjesti të tillë?
Kreu i Kishës Katolike i dha enigmës një përgjigje tejet të thjeshtë. Sipas tij, ishte çështje higjiene!
Zëdhënësi i Vatikanit, Alessandro Gisotti sqaroi se Papa ishte i shqetësuar nga bakteret. “Me aq shumë njerëz në radhë për ta takuar, ai druhej se mund të bëhej shkaktar për përhapjen e tyre”, tha Gisotti.
Kritikët konservatorë u hodhën menjëherë në sulm ndaj Atit të Shenjtë, duke e akuzuar se po anashkalonte një traditë shumëshekullore.
Papa 82-vjeçar, megjithatë duket se nuk e ka vënë shumë “ujin në zjarr”, madje është argëtuar nga polemikat që ngjalli.
Sipas Gisottit, Papës i pëlqen të përqafojë njerëz dhe përgjithësisht i lejon besimtarët t’ia puthin unazën kur janë në grupe të vogla.