Ditën e djeshme, gjatë seancës plenare në Kuvend, një vëmendje të veçantë tërhoqi deputetja Majlinda Halilaj, e cila zëvendësoi kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nisur nga fakti që kryeopozitari vendosi kohë më parë të digjte mandatin e tij.
Ajo çka e vendosi Halilajn në shënjestrën mediatike ishte artikulimi i fjalëve nga ana e saj, që kudo në portale u cilësua si “belbëzim”. Kështu, gjatë fjalimit, do të mund të dëgjoni deputeten teksa has vështirësi në shqiptimin e fjalës “korporatë” dhe shumë të tjerave.
Nisur nga e gjitha kjo situatë, Halilaj vendosi të reagonte përmes një statusi në Facebook.
“Gabimet janë për njerëzit, çdokush gabon nuk është perfekt… por çdo gabim ka një arsye… nuk gjykohet njëri nga gabimet, por nga mendimet që ka”, shkruan deputetja ndër të tjera, në një status gjithashtu me gabime ortografike, duke sqaruar se mosleximi korrekt ndodhi si pasojë e problemeve me syrin.