Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë në disa qytete të Shqipërisë mbrëmjen e së dielës.
Tërmeti u ndje në Tiranë, por edhe në zonat jugore dhe juglindore të vendit, si Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Berat, Elbasan etj.
Sipas të dhënave sizmologjike, tërmeti ka qenë me epiqendër në zonën e Follorinës në Greqi me magnitudë 5.6.
Disa minuta më vonë, dy tërmete të tjerë goditën Greqinë, njëri me magnitudë 3.5 dhe tjetri 4.8.
Departamenti i Sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave në Shqipëri njofton se tërmeti ka rënë në një thellësi 9 kilometra nën tokë.
“Sot në datën 09/01/2022, ora 22:43 (ora lokale), Rrjeti i Monitorimit Sizmologjik i IGJEO ka regjistruar një termët të madhësisë M5.6 sipas shkallës Rihter, me thellësi të vatrës 9 km. Epiqendra është lokalizuar 40 km në Veri-Lindje të Bilishtit. Intensiteti i tërmetit vlerësohet paraprakisht 6 ballë sipas shkallës MSK-64. Nuk kemi njoftime për dëme”, thuhet në njoftimin e Institutit të Gjeoshkencave.